Nxënësit me aftësi të posaçme presin asistentët

Shkolla të caktuara fillore vazhdojnë të mbeten në pritje të asistentëve arsimorë për nxënësit me aftësi të posaçme. Në shkollën fillore “25 Maji” në Hasanbeg tashmë kanë nisur punën nëntë asistentë ndërkohë katër të tjerë pritet të angazhohen javën që vjen, varësisht firmosjes së kontratave. Për momentin, në këtë shkollë mësojnë 21 nxënës me nevoja të posaçme.

Marketing

“13 nxënës nga Qendra për vlerësime kanë dokumentacion adekuat të cilëve u nevojitet asistent arsimor. Ne, në mënyrë permanente, në mënyrë të rregullt jemi në bashkëpunim me Shkollën Fillore të Qendrës së Resurseve “Idnina” e cila deri tani na ka siguruar 9 asistentë në ndërkohë presim që të na kyçen edhe 4 asistentë të ndryshëm. Sa u përket nxënësve të tjerë për të cilët nuk është e rekomanduar të kenë asistentë personal ose arsimor normal se punohet me programe individuale, punohet me programe të veçanta me ata fëmijë”, tha Suzana Jakupi Kurbardoviç, drejtore e sh.f “25 Maji”.

Në pritje të asistentëve, edukatorët specialë në shkollë realizojnë orë individuale me nxënësit më nevoja të posaçme, varësisht nevojës që kanë. Përveç nxënësve, edukatorët specialë mbështetje u japin prindërve të këtyre fëmijëve, mësimdhënësve dhe asistentëve të tyre.

“Për të gjithë fëmijët, posaçërisht fëmijët me nevoja të veçanta fillimisht duhet të fillojmë me një buzëqeshje, të ketë një zemër të pastër që të mund ta ofron ndihmën, të mund ta përkrah atë. Pastaj vjen ajo ana profesionale se sa mundet fëmija me arrit edhe sa mundet mi ofru. Njëherë për njëherë është socializimi, është afërsia që ka me fëmijën, besimi që fiton fëmija te asistenti arsimor”, tha Ajser Gashi, edukator-special.

“Ne realizojmë edhe orë individuale me fëmijët me nevoja të veçanta, varësisht nevojës që ka. Realizojmë aktivitete të ndryshme të motorikës groze, aktivitete të ndryshme të motorikës fine, të muziko terapisë, aktivitete të ndryshme okupacionale sepse ato fëmijë mësojnë përmes përvojës, bashkëveprojnë me botën ku ai mëson të përballet me situate të ndryshme”, shtoi Atixhe Selmani, edukator-special.

Në shkollën fillore “25 Maji” tashmë është ndërtuar edhe një ashensor për t’ju ndihmuar në lëvizjen e lirë nxënësve me nevoja të posaçme. Ditë më parë, ministrja a Arsimit, Vesna Janevska u arsyetua se vonesa e asistentëve për këtë vit shkollor u shkaktua për shkak të rebalansit të buxhetit./Alsat.mk