Obama dhe Pelosi raportohet se kanë kërkuar që Biden të rishqyrtojë kandidimin

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, privatisht ka shprehur shqetësime te demokratët lidhur me kandidaturën e presidentit Joe Biden, dhe Nancy Pelosi privatisht e ka paralajmëruar Bidenin se demokratët mund ta humbin aftësinë që të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nëse ai nuk largohet nga gara për zgjedhjet e nëntorit. Kështu raportoi Associated Press duke u thirrur në burime të informuara për këtë çështje.

Marketing

Pelosi po ashtu i ka treguar sondazhe Bidenit dhe ka argumentuar se ai me gjasë nuk mund ta mposhtë republikanin Donald Trump, edhe pse ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të enjten përmes një deklarate tha se raportimet me burime anonime “keqinterpretojnë çdo bisedë” që ajo mund të ketë zhvilluar me presidentin.

Pelosi dhe Obama janë demokratët e nivelit më të lartë që raportohet se i kanë bërë thirrje Bidenit të rishqyrtojë vendimin për të garuar edhe për një mandat.

Obama raportohet se u ka thënë aleatëve se Bideni duhet të marrë parasysh qëndrueshmërinë e fushatës së tij, por gjithashtu e ka bërë të qartë se ky vendim i përket Bidenit që ta ndërmarrë. Ish-presidenti ka folur ditëve të fundit me udhëheqës të Kongresit, me guvernatorë demokratë dhe me donatorë kyçë. Ata kanë diskutuar për shqetësimet e tyre për Bidenin, i cili ka shërbyer si nënpresident i Obamas.

Biden ka insistuar se ai nuk do të largohet nga gara, duke thënë se ai është kandidati që ka mposhtur në të kaluarën Trumpin dhe do ta mposhtë sërish. I pyetur nëse Biden mund ta shqyrtojë mundësinë që të largohet nga gara, zëvendësmenaxheri i fushatës së tij, Quentin Fulks tha më 18 korrik se “ai nuk lëkundet për asgjë”.

AP raporton se sipas një personi të afërt me diskutimet e brendshme, Biden në ditët e fundit është edhe më i përkushtuar që të qëndrojë në garë.

Washington Post ishte media e parë që raportoi, duke u thirrur në burime anonime, se Obama është përfshirë në diskutimet për kandidaturën e Bidenit për zgjedhjet e 5 nëntorit.

Demokratë të tjerë të lartë, sikurse lideri i Senatit Chuck Schumer, dhe lideri demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, po ashtu kanë shprehur shqetësim. Disa demokratë, sipas AP-së, shpresojnë që Biden, i cili aktualisht ka ndërprerë fushatën pasi ka rezultuar pozitiv me koronavirus, mund ta shikojë më ftohtë trajektoren e garës dhe trashëgiminë e tij në ditët në vijim.

Të mërkurën, ligjvënësi i Kalifornisë, Adam Schiff, një aleat i ngushtë i Pelosit, u bë demokrati i profilit më të lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, që i bëri thirrje Bidenit të tërhiqet nga gara.

Burimet thanë për Associated Press se kjo javë është vendimtare nëse demokratët duan që të ndërmarrin hapa për të zëvendësuar Bidenin me nënpresidentin Kamala Harris për kandidate për presidente.

Demokratët do të bëjnë nominimin e kandidatit të tyre për president në fillim të gushtit, përmes video-lidhjes, para se të mbahet Kuvendi Kombëtar i demokratëve në Çikago.

Disa sondazhe kanë treguar se gara në zgjedhjet presidenciale të nëntorit do të jetë e ngushtë, por sondazhe të tjera kanë sugjeruar se kandidati republikan për president, Donald Trump, po prin.

Shqetësimet për aftësinë e Bidenit për të udhëhequr me shtetin edhe për një mandat u rritën pas debatit presidencial me Trumpin më 27 qershor. Vetë Biden e ka pranuar se nuk ka pasur performancë të mirë gjatë debatit, por që atëherë ka refuzuar thirrjet për t’u tërhequr nga gara./REL