OBSH formon grup të ri për gjetjen e origjinës së koronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha më 13 gusht se po krijon një grup të ri për të hetuar origjinën e koronavirusit të ri përmes së cilit synon të mbajë larg “debatet politike” për këtë çështje.

Pamundësia e OBSH-së për ta thënë se ku dhe si filloi përhapja e koronavirusit ka nxitur tensione mes vendeve të saj anëtare, Kinës dhe SHBA-së.

Marketing

Rastet e para me koronavirusin e ri u zbuluan për herë të parë në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019, por ende shumë pak dihet për origjinën e këtij virusi.

OBSH-ja u bëri thirrje të gjitha qeverive që të bashkëpunojnë për të përshpejtuar studimet lidhur me origjinën e pandemisë COVID-19 dhe “për të depolitizuar situatën”.

Grupi i ri që do të merret me origjinën e koronavirusit të ri është quajtur Grupi Shkencor Ndërkombëtar Këshillimor për Origjinat e Patogjenëve të Ri.

“Të gjithë duhet të punojmë së bashku. Jo vetëm unë, por të gjithë duan të dinë origjinën e pandemisë më të keqe në një shekull”, tha zëdhënësja e OBSH -së, Fadela Chaib, në një konferencë të Kombeve të Bashkuara të premten.

Uashingtoni përshëndeti planin e OBSH-së, duke potencuar rëndësinë e “studimeve të bazuara në shkencë për të gjetur origjinën e kësaj pandemie”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, në fund të muajit maj urdhëroi agjencitë e inteligjencës që të hulumtojnë përgjigjen mbi origjinën e COVID-19 dhe të raportojnë për gjetjet brenda 90 ditësh.

Në janar dhe shkurt, një ekip i OBSH-së qëndroi për katër javë në Vuhan dhe së bashku me ekspertët kinezë bënë përpjekje për të gjetur origjinën e koronavirusit.

Në raportin e tij përfundimtar, ekipi tha se virusi ndoshta ishte transmetuar nga lakuriqët tek njerëzit përmes një kafshe tjetër. Ai tha se një rrjedhje nga një laborator ishte “jashtëzakonisht e pamundur”.

Megjithatë në një dokumentar të transmetuar në Danimarkë të enjten, udhëheqësi i misionit të OBSH -së, Peter Ben Embarek tha se hipoteza e daljes së koronavirusit nga laboratori meriton studime të mëtejshme.

Reuters i ka dërguar ekspertit Ben Embarek pyetje për të sqaruar më shumë këtë deklaratë mirëpo nuk ka arritur ta kontaktojë atë.

Një zyrtar i OBSH -së tha se deklarata e tij nuk kishte asnjë lidhje me raportin, duke shtuar se intervista ishte filmuar muaj më parë.