Që nga fillimi i javës që po lëmë pas ka filluar lehtësimi i masave kufizuese. Kanë filluar me punë dyqanet, bastoret sportive dhe auto-shkollat. Por, shefja e zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shkup, Xhihan Tavila, në një prononcim për Agjencinë MIA, ka tërhequr vërejtjen se relaksimi i masave nuk nënkupton edhe relaksim të mbrojtjes personale të qytetarëve.
“Do të ishte gabim të largohen masat shtrënguese të qeverisë si fundi i kërcënimit Covid-19 dhe krizës me pandeminë. Relaksimi i referohet masave kufizuese, por nuk do të thotë të anashkalohet mbrojtja personale, vetëdijesimi dhe kujdesi. Diçka që mund të jetë shumë më e keqe dhe diçka që do t’i kushtojë shumë Maqedonisë së Veriut nëse vjen deri tek paraqitja dhe rritja e papritur e numrit të rasteve me Covid-19, vetëm disa ditë pas lehtësimit të masave. Arritja e një situate të rimbylljes do të ishte më shkatërruese për ekonominë dhe komunitetin sesa ndikimi i masave të para kufizuese”,- theksoi përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shkup, Xhihan Tavila.
Mbajtja e maskave për qytetarët e vendit është e obligueshme. Për ata që nuk e respektojnë këtë masë janë paraparë edhe dënime, ashtu siç parashihen dënime edhe për marketet dhe dyqanet tjera që nuk respektojnë masat për dezinfektues, lejim të kufizuar të klientëve brenda hapësirës dhe pritje në radhë në distance prej dy metrash