OBSH: Nuk ka ndryshime në ashpërsinë e koronavirusit

Rastet me koronavirus nuk po rriten në mënyrë dramatike jashtë Kinës, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Marketing

Përjashtimi i vetëm është në një anije të ankoruar në Japoni, ku numri i të infektuarve është rritur në 218, nga 174 sa ka qenë.

OBSH-ja tha se nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh as në ashpërsinë e koronavirusit.

Shifrat e fundit flasin për 121 viktima të reja në Kinë, që e çojnë në 1,380 numrin total të të vdekurve.

Komisioni i Shëndetit Kombëtar atje tha të premten se numri i të infektuarve aktualisht qëndron në 55,748.

Mike Ryan, udhëheqës i programit të urgjencave shëndetësore pranë OBSH-së, tha se nuk ka ndryshime të theksuara në trajektoren e shpërthimit të koronavirusit.

Jashtë Kinës ka pasur dy viktima dhe 447 raste të prekura në 24 vende, konfirmoi ai.

Koronavirusi, i cili është shfaqur për herë të parë në fund të vitit të kaluar, në qytetin Vuhan të Kinës, shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe simptomat zakonisht fillojnë me ethe dhe kollë të thatë.

Aktualisht nuk ka vaksinë për të.