Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të premten se autoritetet duhet të përpiqen të shmangin masat “ndëshkuese” të izolimit, pasi shumë vende po përballen me rritje të mprehtë të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Komentet i bëri shefi i emergjencave në OBSH, Mike Ryan, në një konferencë në Gjenevë, një ditë pasi OBSH-ja raportoi një rritje rekord një-ditore të rasteve globale të koronavirusit.
Mbi 338,000 raste u raportuan brenda 24 orëve.
“Nganjëherë është e pashmangshme dhe ne e pranojmë atë, por ajo që duam të provojmë dhe shmangim janë këto izolimet masive që janë kaq ndëshkuese për komunitetet, për shoqërinë dhe për gjithçka tjetër”, tha ai.
Në lidhje me masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, Ryan tha se “nuk ka përgjigje të reja pasi ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë”.
Gjatë ditëve të fundit Evropa po raporton më shumë raste sesa India, Brazili ose Shtetet e Bashkuara.
Të premten, Spanja vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Madrid.
Gjermania, Çekia dhe Italia gjithashtu kanë raportuar rritje të ndjeshme të numrit të rasteve të reja me koronavirus.