OBSH thirrje për masa për të frenuar infektimet

Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehu shqetësime të hënën lidhur me njoftimet se vaksinat kundër koronavirusit mund të mos ofrojnë mbrojtjen e duhur kundër mutacioneve të reja.

Marketing

Të dielën, Afrika e Jugut pezulloi fushatën e saj të vaksinimit kundër COVID-19 pasi një studim gjeti se vaksina nga AstraZeneca ka efekt më të vogël kundër variantit të virusit të zbuluar për herë të parë në atë vend.

Duke folur në një konferencë me median një ditë më vonë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se vendimi është “një kujtesë se ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të penguar përhapjen e virusit përmes masave të provuara të shëndetit publik”.

Studimi i kryer nga Universiteti Witwatersrand në Johanesburg dhe që ende nuk është rishikuar nga hulumtues të tjerë, doli në përfundimin se vaksina britanike ofronte vetëm “mbrojtje të kufizuar kundër formave të moderuara të sëmundjes të shkaktuara nga mutacioni jugafrikan tek të rriturit në moshë ende të re”.

Lajmi ishte ogurzi për Afrikën e Jugut, ku më shumë se 46,000 njerëz kanë humbur jetën nga virusi. Ky vend kishte planifikuar të vaksinonte popullsinë me 1 milion doza të vaksinës AstraZeneca gjatë ditëve në vijim. Por studimi gjeti se vaksina kishte efekt vetëm 22% për rastet mesatare të sëmundjes së shkaktuar nga mutacioni jugafrikan.

Studimi nuk ka përfshirë efketshmërinë e vaksinës kundër rasteve të rënda. Mutacioni jugafrikan është gjetur edhe në të paktën 32 shtete të tjera, përfshi Shtetet e Bashkuara.

Kompania AstraZeneca tha të dielën se po zhvillonte një tjetër vaksinë që do të ishte më efikase kundër variantit të Afrikës së Jugut, e cila mund të dalë nga vjeshta.

Por shkencëtari kryesor i OBSH-së, Dr. Soumya Swaminathan, paralajmëroi të hënën se shtetet nuk duhet të supozojnë që vaksina nga AstraZeneca nuk funksionon, duke theksuar se të gjitha provat në dispozicion tregojnë se vaksinat zvogëlojnë rastet e vdekjeve, shtrimet në spital dhe simptomat e rënda të sëmundjes.

Ndërkohë në Meksikë, miliona banorë u ndien të zhgënjyer javën e kaluar me regjistrimin në internet për marrjen së vaksinës kundër koronavirusit. Të moshuarit ishin grupi i parë i popullsisë që duhet të regjistrohet për marrjen e vaksinës.

Një burrë tha për gazetën britanike Guardian se ai “shpenzoi tre ditë në përpjekje pë t’u regjistruar tek faqja në internet” për të caktuar datën e marrjes së vaksinës për nënën e tij, duke shtuar se nëna e tij “nuk do të kishte qënë në gjendje të regjistrohej pa ndihmën e tij.”

Fillimi problematik i faqes në internet për regjistrimin e popullsisë për marrjen e vaksinës ishte zhgënjyes për vendin që zë vendin e tretë në botë për numrin e vdekjeve nga koronavirusi. Meksika ka më shumë se 162,200 vdekje nga COVID-19. Vetëm Brazili dhe Shtetet e Bashkuara kanë më shumë të vdekur. Shtetet e Bashkuara kanë 463,477 të vdekur ndërsa Brazili 231,534 sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins.

Shtetet e Bashkuara mbeten në krye të listës si vendi me infeksionet më të larta, me më shumë se 27 milionë raste aktualisht, e ndjekur nga India me 10.8 milion raste dhe Brazili me 9.5 milion.

Më shumë se 59 milion doza të vaksinave kundër COVID-19 janë shpërndarë në mbarë Shtetet e Bashkuara, thanë të dielën Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC)

Njoftohet se deri mëngjesin e së dielës më shumë se 41 milion doza të vaksinave nga Moderna dhe Pfizer-BioNTech janë injektuar. Më shumë se 31.5 milion njerëz kanë marrë dozën e parë, sipas CDC dhe mbi 9 milion njerëz kanë marrë dozën e dytë.