Odat Ekonomike RMV-Kosovë-Shqipëri: Bashkëpunim ka, Maqedonisë i mungon infrastruktura

Bashkëpunimi ekonomik ekziston, por potenciali ekzistues nuk shfrytëzohet, thonë përfaqësuesit e bizneseve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria të mbledhur në forumin ekonomik në Shkup. Kërkuan nga autoritet të nisin punët konkrete në teren për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, por edhe lehtësimin e proceduarve administrative dhe heqjen e barrierave jotarifore me të vetmin qëllim, rritjen e shkëmbimit tregtar.

Marketing

“Barrierat siç janë potencuar edhe shumë herë janë infrastrukturore, rrugore, barrierat jotarifore dhe probleme të tjera të cilat janë në përditshmëri të realizimit të qëllimeve tona”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.

“Rezultate kemi, natyrisht është shfrytëzuar shumë nga të dyja anët, por pjesa e mbetur nga ana e Maqedonisë duhet të plotësohet në mënyrë që të rritet ky bashkëpunim. Por, edhe ne jemi të interesuar që të rrisim bashkëpunimin dhe bizneset tona të jenë më prezente në Maqedoni”,- tha kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi.

“Në qoftë se vendet tona duhet të shërbejnë si një trekëndësh i fortë i ekonomisë komplementare dhe shkëmbimit tregtar , duhet patjetër që të gjitha brinjët e trekëndëshit të funksionojnë. Në rastin konkret kemi një mangësi të theksuar në pjesën e infrastrukturës rrugore të Maqedonisë qoftë kundrejt Shqipërisë, qoftë kundrejt Kosovës, të cilat realisht janë problematika që kanë të bëjnë me qarkullimin e mallrave dhe të udhëtarëve”,- u shpreh kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Nikolin Jaka.

Autostrada Shkup –Bllacë, Zaev: Qëllimi ynë, të përfundojë sa më shpejt

Autoritetet premtojnë përfundimin e shpejtë të procedurave për autostradën. Por, rruga deri në Bllacë ende është në fazën tenderuese të pjesës së parë, e pjesa tjetër e 12.5 kilometrave do të tenderohet me gjasë fillim vitin që vjen.

“Tenderin për ndërtimin e pjesës së parë të autostradës Shkup-Bllacë e kemi shpallur. Besoj që deri në fund të vitit apo fillimit të vitit të ardhshëm do të nënshkruhet edhe tenderi për pjesën e dytë. Qëllimi ynë është që me një intensitet më të shpejtë të ndërtojmë autostradën Shkup –Bllacë, që përben gjithsej 12.5 km”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Ministri i ekonomisë tha se po punohet ndërkohë edhe për vendosjen e shpejtë të sistemit një vendkalimi në kufirin me Shqipërinë.Forumin e përshëndeti edhe kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, për të cilin bashkëpunimi ekonomik përçon mesazhin se vendet tona janë pjesë e një rajoni stabil dhe të sigurt.

Marketing