Ofendoi shqiptarët, Seladin Xhezairi Zaevit: Jazëk

Autor: Seladin Xhezairi

Marketing

Ranë këto ‘bomba’ e u pamë: Fillimisht folën për ‘indianët’, të tjerët fërkuan duart, tash po del se ‘s’vlejkemi as për pesë para’! Tash, të tjerët e të tjerëve fërkojnë duart. Është pak të thuhet ‘boll më’, është pak të thuhet ‘jazëk’ për kryeprotagonistët e bombave, për shkak se shuajnë çdo ëndërr për një shtet normal, për një shoqëri për të gjithë.

Kam ose jo të drejtë, lexonie më poshtë fjalimin historik të Martin Luther Kingut të mbajtur më 28 gusht të vitit 1963 para përmendores së Abraham Linkolnit në Uashington, në një protestë për t’i dhënë fund diskriminimit racor. Zëdhënësi I 250 mijë protestuesve, u vra nga një dorë gjakatare, më katër prill 1968 në Memphis, ama fjalimi i tij

‘Unë kam një ëndërr’ u bë fanar i të shtypurve gjithandej botës!

‘Unë jam i lumtur që jam bashkuar me ju sot, në atë që do të hyjë në historinë e kombit tonë si shprehja dhe demonstrimi më të madh për lirinë.
Njëqind vjet më parë, një amerikan i madh, nën hijen e të cilit qëndrojmë sot, nënshkroi Shpalljen e Emancipimit. Ky dekret i momentit erdhi si drita e një feneri të madh për miliona skllevër me ngjyrë, të cilët ishin përcëlluar në flakët e padrejtësisë përvëluese. Erdhi si një agim në fund të një nate të gjatë të robërimit.

Por njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë ende nuk janë të lirë. Njëqind vite më vonë, jeta e një njeriu me ngjyrë është ende e sakatosur nga prangat e izolimit dhe zinxhirët e diskriminimit.

Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë jetojnë në një ishull varfërie në mes të një oqeani të gjerë me prosperitet material. Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë ende brengosen në qoshe të shoqërisë amerikane dhe e ndjejnë veten si në ekzil në tokën e tyre. Prandaj ne kemi ardhur këtu të dramatizojmë një kusht të turpshëm.

Në një farë kuptimi, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të marrë një çek. Kur arkitektët e Republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe Shpalljes së Pavarësisë, ata po nënshkruanin një shënim premtues, sipas së cilit, çdo amerikan duhet të ishte trashëgimtar. Ky shënim ishte një premtim se të gjithë njerëzve, po, njerëzve me ngjyrë dhe të bardhë, do t’ju garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, liria dhe kërkimi i lumturisë. Është fare e qartë sot se Amerika nuk i ka plotësuar zotimet e premtuara, për sa i përket qytetarëve me ngjyrë. Në vend që të nderojë këtë detyrim të shenjtë, Amerika i ka dhënë popullit me ngjyrë një çek të keq, një çek në të cilin shënohen “fonde të pamjaftueshme”.

Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se nuk ka fonde të mjaftueshme në kupën e madhe të mundësive të këtij kombi. Prandaj ne kemi ardhur ta marrim këtë çek, një çek që do të na japë mbi kërkesën e pasurisë, lirinë dhe drejtësinë.

Tani është koha t’i bëjmë të vërteta premtimet e demokracisë. Tani është koha ta bëjmë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Do të ishte fatale sikur ky komb të tejkalonte urgjencën e momentit. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treshi nuk është fundi, por fillimi. Vorbulli i revoltës do të vazhdojë të tundë themelin e kombit tonë deri në ditën e shndritshme që drejtësia do të lindë.

Duhet t’ju them diçka atyre që qëndrojnë në pragun e ngrohtë, që i drejton në pallatin e drejtësisë. Në procesin për të fituar vendin tonë të drejtë, ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për veprimet tona të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes. Nuk duhet ta ngrijmë përpjekjen tonë në sferën e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të degjenerojnë në dhunë fizike. Duhet të ngrihemi përsëri dhe përsëri në lartësinë madhore për të bashkuar forcën fizike me forcën shpirtërore!

Jam i vetëdijshëm se disa prej jush kanë kaluar përejtime dhe vuajtje të mëdha. Disa prej jush vijnë direkt nga qelitë e burgjeve. Disa prej jush vijnë nga zona ku kërkimi për liri ju ka lënë të dërrmuar nga stuhia e persekutimeve dhe është tronditur nga era e brutalitetit të policisë. Ne jemi veteranët e vuajtjes krijuese. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtjet e pamerituara janë shpenguese. Shkoni në Misisipi, shkoni në Alabama, kthehuni në Karolinën e Jugut, shkoni në Xheorxhia, kthehuni në Luiziana, shkoni në lagjet e varfra dhe getot e qyteteve veriore, duke ditur se në një farë mënyre situata mund dhe do të ndryshojë. Le të mos zhytemi në lëndinën e dëshpërimit, ju them, miqtë e mi. Edhe pse po përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane.

Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xheorxhias yjet e ish-skllevërve dhe bijve të të zotëve të ish-skllevërve do të ulen krah për krah në tavolinën e vëllazërisë.

Kam një ëndërr se një ditë, madje dhe në shtetin e Misisipit, një shtet i djersitur me nxehtësinë e padrejtësisë, do të djersisë nxehtësinë e shtypjes, do të transformohet në një oazë lirie dhe drejtësie.

Kam një ëndërr se poshtë në Alabama, ku sundon racizmi i ligë, ku nga buzët e guvernatorit dalin fjalë pa kuptim, djem dhe vajza të vogla me ngjyrë, do të mund të bashkojnë duart me djem dhe vajza të vogla të bardha, si motra dhe vëllezër. Sot kam një ëndërr!

Kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet dhe çdo kodër dhe mal do të ulet, vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet e lakuara do të bëhen të drejta, dhe lavdia e Perëndisë do të zbulohet dhe të gjithë do ta shohin së bashku.

Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin kthehemi në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta kthejmë malin e dëshpërimit në një gur shprese. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta transformojmë disharmoninë e kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, për të luftuar së bashku, për të mbrojtur lirinë së bashku, me dijen se një ditë do të jemi të lirë. Dhe kjo do të jetë dita kur fëmijët e Perëndisë të jenë në gjendje të këndojnë së bashku me një kuptim të ri “Vendi im është toka e ëmbël e lirisë. Toka ku stërgjyshërit kanë vdekur, toka e krenarisë së pilgrimëve, nga çdo majë mali le të këndojë liria”.

Dhe nëse Amerika do të bëhet një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë.

Kështu, lëreni lirinë të kumbojë nga majat e kodrave të Nju Hemshajërit

Lëreni lirinë të kumbojë nga malet e gjera të Nju Jorkut!

Lëreni lirinë të kumbojë nga lartësitë e Pensilvanisë!

Lëreni lirinë të kumbojë nga shkëmbinjtë me dëborë të Kolorados.

Lëreni lirinë të kumbojë nga pjerrësirat e Kalifornisë

Por jo vetëm kaq: Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i gurit të Xheorxhisë

Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i Tenesit!

Lëreni lirinë të kumbojë nga çdo kodër dhe pirg dheu i Misisipit, nga çdo krah mali, lëreni lirinë të kumbasë!

Dhe, kur kjo të ndodhë, kur ta lejojmë lirinë të kumbojë, kur ta lëmë të kumbojë nga çdo fshat dhe çdo katundth, nga çdo shtet dhe çdo qytet, do të jemi në gjendje të përshpejtojmë ditën kur fëmijët e Perëndisë, të bardhët dhe të zinjtë, hebrenj dhe paganë, protestantë dhe katolikë, do të bashkojnë duart dhe të këndojnë fjalët e ritmit shpirtëror të njerëzve me ngjyrë “Më në fund të lirë, më në fund të lire! Lavdi Zotit të Plotfuqishëm, jemi më në fund të lirë”!

Kështu pati folur Martin Luther Kingu këtu e 57 vjet më parë, por të kthehemi tek ne në Maqedoninë e Veriut: Unë edhe mund ta kuptoj mllefin e së djathtës e inatin e së majtës maqedonase ndaj Ali Ahmetit, mund ta kuptoj mllefin e së majtës dhe inatin e së djathtës pse tetë vezirë ua çoi në pension, pse shumë kollaj po kjo mund të ndodhë edhe me të nëntin, por nuk e kuptoj këtë goditje që po e bëjnë, edhe tinëz, edhe ashiqare, dhe pa fije turpi dalin e ta lypin, madje, thonë, dhe ta ‘marrin’ votën!

Nuk jam aq naiv sa të mos e kuptoj se këtu ndër ne praktikohet një betejë që nuk zgjedh mjetet, që inskenon aksidente trafiku, që lëshon nga burgu gjahtarë të votave, ama kurrsesi të më hyjë në këtë rradaken time prirja nënçmuese e përçmuese e stilit ‘dëgjo se çfarë thotë hoxha e mos bëj si ai!’ Maskat duhet t’i mbajmë, thonë doktorët, po ç’të bëhet me këta të cilëve, si për turp, u ranë maskat?