Po nxehet skena politike shqiptare në Maqedoni. Nga burime të tij, por ende të pakonfirmuara në rrugë zyrtare, TV21 mëson se mbrëmë në Gostivar kreu i ASH-së Arben Taravari është takuar me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, kryeministrin Talat Xhaferi dhe një ministër të BDI-së. Për këtë TV21 ka pyetur Taravarin dhe zëdhënësin e integristëve Bujar Osmani, por asnjëri ende nuk kanë kthyer përgjigje. Megjithatë informacioni deri më tani nuk është demantuar nga asnjëri.
TV21 mëson se në këtë takim, Taravari ka marrë ofertën e fundit nga BDI-ja, që ASH t’i bashkohet Frontit europian. Informacionet që burimi ia ka përcjellë TV21 thonë se oferta finale e Ahmetit ndaj Taravarit është “goxha serioze”. Se për çfarë është biseduar konkretisht dhe cili do të jetë vendimi i Taravarit, pritet që kreu i ASH-së vetë ta njoftojë opinionin sot ose ditëve në vijim.