OH “El Hilal”shënoi 7 Marsin

OH “El Hilal” si çdo vit edhe sivjet në mënyrë solemne e shënoi 7 Marsin, Ditën e mësuesit. Në Shkollën fillore “Liria” në Shkup në prezencë të drejtorëve të disa shkollave, arsimtarëve veteranë, aktivistëve volonterë të organizatës dhe studentëve, këtë tubim e moderoi hoxhë Ali Sadiku, sekretar i “El Hilal”-it, ndërkaq fjalë rasti mbajti veterani i arsimit, pedagogu Baki Bakiu, i cili njëherësh është udhëheqës i komisionit për shënimin e 7 Marsit. Ai foli për hapjen e shkollave shqipe në Maqedoninë lindore, përkatësisht në vendet që dikur kanë qenë nën administrimin e shtetit bullgar. Kjo ligjëratë u përcoll me interes të veçantë nga të pranishmit në sallë. Tubimin e përshëndeti edhe kryetari i “El Hilal”-it, i cili theksoi rëndësinë e mësuesit si pishtar i arsimit, për të cilët “El Hilal”-i në vazhdimësi ka kontribuuar. Prej vitit 2004, prej kur në mënyrë tradicionale organizon evenimentin e 7 marsit e deri më sot, “El Hilal” i ka ndarë mbi 13 mijë libra për bibliotekat shkollore dhe ka dhënë mirënjohje për rreth 100 arsimtarë, theksoi ai. Programi vazhdoi me ndarjen e nga 100 librave cilësore për tri shkolla të mesme, si për: Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, Kiril Pejçinoviq në Tetovë dhe në shkollën e mesme në Saraj. Në emër të shkollave fjalë rasti mbajti zv. drejtorja e gjimnazit të Tetovës z. Teuta Llalla. U nderuan edhe mësuesit veteranë si dhe ata që kanë dhënë kontribut për grumbullimin e librave. Sivjet u nderuan këta mësimdhënës: Muhamed Borova nga Struga, Muhamed Sylejmani nga Cërnilishta e Prilepit dhe Remzi Shemsedini nga Velesi. Mirënjohje iu ndanë edhe dhuruesit të librave, dr. Mahir Iseini, Valbona Zunçe-Pajaziti dhe Vebi Rustemit. Mirënjohjet dhe librat i shpërndau Behixhudin Shehapi, kryetari i nderit dr. Abdurauf Pruthi dhe anëtarët e komisionit Baki Bakiu dhe Talat Sadiku. Në fund, të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi për prezencën e tyre, nikoqirja znj. Teuta Idrizi, drejtoresha e shkollës fillore Liria. Pas përfundimit të këtij evenimenti, një bamirës nga Tetova për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktej rasti.

Marketing