Qytetarët shqetësohen dhe e vlerësojnë si të gabuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që Qendra e Ohrit për sëmundjet kardiovaskulare, të pranojë pacientë me Covid 19. Ata do të vendosen në pjesën e njëjtë të spitalit, që deri vonë përdorej për rehabilitimin e pacientëve me probleme të zemrës dhe sëmundjeve tjera kardiovaskulare. Pacientët që shërohen këtu thonë se ky vendim do të ndikojë në trajtimin që ata e marrin.
“Mendoj që shumë pacientë do të mbeten pa kujdesin e duhur, për shkak të pamundësisë për t’u pranuar, kapaciteti do të ulet, nuk do të jenë në gjendje t’i marrin të gjithë”.
“Ne ashtu kemi probleme dhe nëse sëmuremi, do të jetë shumë e vështirë për ne”.
“Besoj që është gabim, sepse do të pamundësohet kontrolli i këtyre njerëzve, me sëmundje të zemrës dhe trajtimi i tyre me sukses”.
Kardiologu, Nikolla Bakraçeski, pret të ulet numri i pacientëve me sëmundje të zemrës që do të pranohen në këtë spital.
Do të duhet të bëjmë një zvogëlim të numrit të pacientëve që do të kontrollohen ose do t’ju duhet procedurë të përzgjedhjes, që mund të shtyhet. Por në pjesën ku kemi pacientë të rëndë me patologji të rrezikshme për jetë, kjo nuk do të ndryshojë asgjë – tha Nikolla Bakraçeski – kardiolog.
Deri më tani asnjë pacient nuk është kthyer dhe i është dhënë kujdesi dhe trajtimi i duhur. Ne vazhdojmë me punën e rregullt të pacientëve të urgjencës dhe pacientëve të përzgjedhur, por natyrisht nëse ka nevojë, për pacientë përzgjedhur, do ta përshtatim atë në përputhje me situatën aktuale – deklaroi Elena Kovaçeska Bashuroska – drejtore e qendrës për sëmundje kardiovaskulare, Ohër.
Në qendrën e sëmundjeve kardiovaskulare në Ohër, pesë infermiere dhe një mjek janë pozitiv me koronavirus. Kjo qendër trajton disa mijëra pacientë nga pjesa jugperëndimore e vendit dhe më gjerë. Aktualisht, 94 pacientë me KOVID 19 janë të shtruar në spitalin e Ohrit, 20 prej të cilëve janë në terapi oksigjeni. Në spitalin e Strugës, reparti i fëmijëve është vënë në funksion për luftën kundër koronavirusit./Alsat