Ohër, plan aksional për ndërtimet pa leje

Sot Këshilli i Komunës së Ohrit votoi moratorium të përkohshëm për ndërtimin e objekteve të reja si dhe për miratimin dhe zbatimin e planeve dhe procedurave urbane për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, si pjesë e rekomandimeve të UNESCO-s, që rajoni rreth Liqenit të Ohrit ta ruajë statusin botëror, që e ka nga viti 1980. Plani i veprimit parashikon gjithashtu heqjen e objekteve të ndërtuara pa leje në zonën e mbrojtur deri në mesin e vitit 2021. Shumë nga objektet hotelierike përgjatë gjithë bregut të liqenit të Ohrit kanë marrë tashmë vendime nga komuna deri në shtator të këtij viti, por t’i largojnë vetëm platformat e ndërtuara në liqen. Disa nga hotelierët e konfirmuan lajmin.

Marketing

Njëkohësisht, të gjitha procedurat e reja për lëndët që kanë të bëjnë me lëshimin e lejeve të ndërtimit, lejeve të mbindërtimeve, ndërtimeve shtesë, pezullohen përkohësisht. Të gjitha procedurat që janë me leje ndërtimi në fuqi, mund të vazhdojnë me realizimin”-tha Konstantin Georgievski, kryetar i Ohrit.

Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se mund të jetë vonë deri në vitin 2021 të pritet prishja e objekteve pa leje, që në Ohër janë më shumë se 1.400, prej të cilave 409 në zonën e mbrojtur.

Me përgatitjen e regjistrit mundet të fillohet menjëherë me punë, në lidhje me objektet pa leje. Nëse është moratoriumi i drejtë ose jo, nuk e di, flas për atë të përgjithshmin, por është fakt se duhet të fillohet nga diku. Ky moratorium do të sjellë përgatitjen e shpejtë të planeve urbane në ato mjedise ku kemi probleme me objektet e ndërtuara pa leje, dhe do të vendoset rend në ndërtimin e atij rripi që është i rëndësishëm për UNESCO-në”-pohoi Kiril Pecakoski, këshilltar i VMRO DPMNE-së.

Një nga ndërtimet më të përfolura në publik, në Ohër, për të cilat pretendohet se është e paligjshme, është tarraca e picerisë së këshillimit të BDI-së dhe biznesmenit Nefi Useini. Ai argumenton se objekti nuk është i paligjshëm dhe se ndaj tij ka pasur goditje të vazhdueshme politike gjatë periudhës së kaluar. Kërkon që shteti dhe komuna të kenë trajtim të njëjtë ndaj të gjithëve.

Deri në shtator të këtij viti siç ishte planifikuar, komuna e Ohrit duhet të bëjë një regjistrim të hollësishëm të të gjitha ndërtimeve të paligjshme. Deri në shkurt të vitit të ardhshëm, shteti dhe komuna duhet të përgjigjen ndaj të gjitha rekomandimeve të UNESCO-s, që dolën nga seanca e mbajtur në Baku të Azerbajxhanit, në korrik të këtij viti. A do të mbetet Ohri nën UNESCO do të varet nga zbatimi i tyre në praktikë.