Ohër, shumë turistë për festimin e Vitit të Ri

Hotelet në Ohër paralajmërojnë frekuentim të shkëlqyeshëm për festat e ardhshme të Vitit të Ri. Thuajse të gjitha kapacitetet tashmë janë shitur, tradicionalisht edhe sivjet numri më i madh i tyre janë turistë nga shtetet fqinje, por do të ketë edhe turistë nga vendet e Evropës Perëndimore.

Marketing

Hotelet e rivierës së Ohrit ofrojnë aranzhime për Vitin e Ri në kohëzgjatje prej dy deri pesë ditësh, ndërsa çmimi varet nga kategoria, si dhe nga kohëzgjatja e qëndrimit në Ohër. Aranzhimet treditëshe me bazë gjysmë pansion (bujtje-mëngjes-darkë) kushtojnë prej 100 deri 160 euro, duke përfshirë edhe pritjen e Vitit të Ri 2019 dhe një meny të pasur.

Hotelet “Metropol” dhe “Belvi” janë shitur tërësisht, me turistë kryesisht nga Bullgaria, në një numër më të vogël nga vendet e tjera të Ballkanit. Aranzhimet treditore në këto dy hotele kushtojnë 149 euro, duke përfshirë darkën solemne për pritjen e Vitit të Ri.

Në hotelin “Ineks” deri tani janë shitur më shumë se 85 për qind e kapaciteteve, me turistë kryesisht nga Greqia, si dhe turistë vendorë të cilët për akomodim me bazë gjysmë pansioni do të paguajnë nga 35 euro.

Hoteli “Akvalina” gjithashtu ka shitur 100 për qind të kapaciteteve të tij me turistë nga Bullgaria dhe Rumania, të cilët do të ndajnë 149 euro për aranzhimin treditor me pritje të Vitit të Ri.

Që para dy muajve hoteli “Sileks” ka shitur tërësisht kapacitetet për festat e Vitit të Ri me turistë nga Bullgaria, të cilët kanë ndarë 165 euro për qëndrim treditor në Ohër, duke përfshirë menynë solemne të Vitit të Ri.

Te restorantet e Ohrit nuk ka dallime të mëdha në ofertën dhe çmimet krahasuar me vitin e kaluar. Si zakonisht për festat e Vitit të Ri ata ofrojnë argëtim të mirë me meny të pasur solemne për Vitin e Ri dhe çmime mes 25 dhe 50 euro varësisht nga lokali, çfarë është në ofertë, si dhe nëse në çmimin është përfshirë pija. Disa nga restorantet në Ohër do të punojnë sipas standardit, me menynë “a la kard” dhe çmime standarde të pijeve, por gjithsesi me prenotim paraprak për vendin.

Ajo që bie në sy sivjet është rritja e çmimit të menysë për mbrëmjet dhe kremtimet para Vitit të Ri në restorantet e qytetit ku menyja është më e shtrenjtë për 200 deri 300 denarë.

Mbrëmje argëtimi do të ketë edhe për ata që duan Vitin e Ri 2019 ta presin në kafenetë dhe klubet e natës të Ohrit në një atmosferë më ndryshe, me di-xhej program dhe garantim të argëtimit të mirë deri në orët e hershme të mëngjesit.

Gjithsesi në Ohër do të ketë edhe mysafirë të akomoduar në kapacitete private, ku çmimi arrin prej pesë euro për bujtje, deri në më shumë se 50 euro për marrje me qira të ndonjë apartamenti më luksoz me më shumë shtretër.

Ndryshe, Ohri tashmë është i gatshëm për festat e Vitit të Ri dhe natën më të çmendur. Qyteti është i dekoruar për festë, çarshia, zona qendrore e qytetit dhe Bregu i liqenit janë të ndriçuar me rekuizita përkatëse.

Megjithatë, për shkak të vdekjes së papritur të kryetarit të qytetit Jovan Stojanoski, komuna hoqi dorë nga edicioni i sivjetmë i projektit të prezantuar vitin e kaluar „Prej 20-tit deri më 20-tin – TË GJITHË NË OHËR“ që duhej të fillojë prej 20 dhjetorit dhe të zgjasë deri më 20 janar të vitit 2019.

Programi ka qenë tashmë i përgatitur dhe ishin prenotuar mysafirët që duhej të vinin në Ohër, megjithatë është marrë vendim që sivjet të mos mbahet programi kryesor dhe i njëjti të bartet për edicionin e radhës. Nga pjesa argëtuese do të realizohet pjesa e programit të parashikuar për fëmijët dhe mysafirët më të rinj në Ohër.

Marketing