Aktivistët e Iniciativës qytetare “E duam Vodnon”, mbeten në qëndrimin e tyre kundër ndërtimit të gazsjellësit përmes malit Vodno. Sipas tyre, kjo nuk nënkupton se janë kundër gazsjellësit, por janë kundër që i njëjti të kalojë përmes malit Vodno. Iniciativa qytetare “E duam Vodnon”, projektin e vlerëson si të dhunshëm për Qytetin e Shkupit, sepse, siç thonë, i njëjti nuk parandalon ndotjen e ajrit.
Nga kjo iniciativë gjithashtu përgënjeshtruan edhe deklaratën e djeshme të kreut të qytetit, Petre Shilegov, lidhur me atë se pas vendosjes së gazsjellësit në thellësi prej 10 metrash, do të pasojë faza e pyllëzimit të sërishëm të hapësirave.
Përfaqësuesit e iniciativës thanë që kjo nuk do të jetë e mundur sepse rrënjët e drunjve në të ardhmen mund të dëmtojnë gypat e gazsjellësit.
“Ndotja e ajrit nuk do të zvogëlohet në Shkup me ndërtimin e këtij gazsjellësi, as grimcat PM 10, as azoti, dioksidi i karbonit e as sulfur-dioksidi, asgjë nuk do të zvogëlohet me ndërtimin e gazsjellësit në Vodno. Ky gazsjellës nuk ndërtohet për Shkupin. Shkupi tani 20 vite ka gazsjellës, por nuk ka rrjet të zhvilluar të distribuimit, tendenca për të mashtruar opinionin, se qysh në vjeshtën e këtij viti do t’i shohin benefitet e gazsjellësit, asnjë qytet që ndodhet në trase nuk ka të zhvilluar rrjetin sekondar as terciar. Rezultatet e para të projektit do të shihen vetëm pas 5 vitesh, deri atëherë drunjtë do të digjen edhe në Shkup edhe në Tetovë , Gostivar dhe Kërçovë”,-deklaroi Аndrea Јankov nga Iniciativa qytetare “E duam Vodnon”.
Nga kjo iniciativë janë të bindur se alternativa tjera jashtë malit Vodno ka, andaj kërkojnë të gjendet rrugëtim tjetër i trasesë, me impakt më të vogël në ambient, pa marrë parasysh koston ekonomike.
Shoqata kërkon sqarime për analizën komparative të bërë nga ana e qeverisë, si dhe për vendimin se pse traseja duhet të kalojë përmes malit Vodno.
Aktivistët e kësaj iniciative thanë se për këtë çështje veç më kanë filluar edhe sensibilizimin e institucioneve ndërkombëtare.