OKB nuk e ftoi BE-në për bisedimet e Qipros në Gjenevë

Bashkimi Evropian nuk ka marrë ftesën që priste nga Kombet e Bashkuara për bisedimet 5+OKB me temë Qipron të cilat do të fillojnë nesër në Gjenevë të Zvicrës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Takimi jozyrtar për Qipron në formatin 5+OKB në udhëheqjen e OKB-së do të zhvillohet më 27-29 prill me pjesëmarrjen e palëve qipriote dhe vendeve garantuese Turqisë, Greqisë dhe Britanisë së Madhe.

Në takim do të caktohet nëse ka apo jo një “bazë të përbashkët” mes palëve për të negociuar një zgjidhje të përhershme në të ardhmen e afërt lidhur me çështjen e Qipros.

Marketing

Administrata e BE-së ka kërkuar përfshirjen e saj në këtë takim, por zyrtarët e saj kanë njoftuar se deri më sot nuk kanë marrë nga OKB-ja ndonjë ftesë për pjesëmarrje në takim.

Peter Stano, një nga zëdhënësit e Komisionit Evropian njoftoi se pavarësisht se nuk ka ardhur ftesë, BE-ja ka dërguar në Gjenevë një delegacion të diplomatëve të vjetër “për të ndihmuar në përpjekjet e OKB-së”.

Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) nuk pranon që BE-ja të ndodhet në takimin që do zhvillohet në Gjenevë.

Presidenti i TRNC-së, Ersin Tatar pas një takimi që zhvilloi në muajin mars në ishull me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha: “E njoftuam se nuk do të mund ta miratojmë dhe nuk do të jetë e drejtë që BE-ja të marrë pjesë me statusin e vëzhguesit në bisedimet 5+1 që do zhvillohen në Gjenevë. Sepse nuk mund të pritet që ata të jenë të paanshëm”.

BE-ja dëshiron të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur një proces negociues për zgjidhjen e problemit të Qipros. BE-ja mbështet idenë që të ndiqet formula federatë me dy komunitete, me dy rajone.

Pala e Qipros turke thekson se janë shteruar përpjekjet për federatë dhe se tashmë nuk është më e mundur rikthimi në procesin e negociatave me bazë federatën, bisedime të cilat vazhduan për 10 ditë në rajonin Crans Montana të Zvicrës në korrik 2017 dhe të cilat përfunduan me braktisjen e tryezës nga pala qipriote greke.

Në bisedimet që do fillojnë nesër në Gjenevë, pritet që pala turke të paraqesë modelin e një zgjidhjeje në të cilin dy shtetet në ishullin e Qipros do të bashkëpunojnë mbi bazën e barazisë sovrane.



. .