Ollogu: Trajtimi i “Kontratës” në gjyqësorin Dibër – Gostivar, Këshill Gjyqësor. Një shembull për zv.ministrin Nuhiu

Nga: Alpin Ollogu

Marketing

“Omnis enim obligation vex ex contractu nascitur vel ex delicto” – Secili obligim themelohet ose nga kontrata ose nga delikti.

Rasti si më poshtë, pretendim i arsyeshëm, na jep të kuptojmë se deri në çfarë niveli mund të shkojë pa-ligjshmëria e aktgjykimeve në gjykatat e Maqedonisë së Veriut dhe se çfarë trajtimi ligjor, verifikim të fakteve, i “reformuari” Këshilli Gjyqësor, ju bën aktgjykimeve, gjyqtarëve jo të paktë, të cilët i kanë i kanë dhënë gjyqësorit imazhin e padrejtësisë. Ky shembull konkret, aktgjykim i Gjykatës themelore Dibër dhe i Apelit në Gostivar, me gjasë është një prej aktgjykimeve të shumta antiligjore të sistemit tonë të drejtësisë. Ёshtë edhe një shembull i thjeshtë, argumentuese, edhe për zëvendës ministrin e drejtësisë Agim Nuhiu, në atë pyetjen që ai shtroi oponentit politik Azirit, në një debat televiziv të këtyre ditëve. Zëvendës ministri, ndër të tjerash vlerësimesh superlative, arritjesh shkencore dhe ndërkombëtare për gjyqtarët dhe prokurorët shqiptar, pyeti debatusin: “më thuaj një skandal që kanë bërë, ose një vendim joobjektiv dhe joprofesional që ka sjellë një gjyqtar shqiptar apo një prokuror?!

Përgjigja i nderuar zv.ministër është e thjeshtë, sepse edhe ju qe pyetni, edhe nga ai që kërkonit përgjigje, nuk jeni të informuar dhe nuk mund tju jenë të njohura aktgjykimet e gjykatave dhe prokurorive, qofshin ato vetëm shqiptare, për arsye se ju mund të jeni profesor i mirë universitar në rrafshin teorik të drejtësisë (për të cilën kam pasur fatin tju kem asistent në fakultetin juridik), por ju nuk jeni profesionist i sistemit gjyqësor, nuk kontrolloni ligjshmërinë e vendimeve gjyqsore, apo ankesat e palëve drejtuar Këshilit gjyqësor apo prokurorial, dhe se çfarë bën Këshilli gjyqësor me këta ankesa, statistikat dhe procedimet me gjyqtarët apo prokurorët. Pastaj, nuk është kriter skandali, që lëndët të konsiderohen antiligjore, sepse skandalet ndodhin në rrethana dhe për interesa specifike, në gjyqësor apo bartësve të punëve publike, siç ishin aktet penale të dala nga përgjimet e paligjshme. E gjithë tjetra është ajzberg antiligjshmërie institucionale.

 

Andaj, as debatuesi, oponenti politik Elmi Aziri, nuk dinte çfarë të përgjigjej në pyetjen tuaj zotëri zv.ministër, sepse ai nuk është profesionist i fushës dhe nuk është i përgatitur të dijë se si bëhet kontrolli i lëndëve gjyqësore, nga kush bëhet dhe me çfarë profesionalizmi dhe serioziteti, madje asnjëri nga ju nuk jeni avokat për të kuptuar mënyrën e zakonshme të aktgjykimeve dhe çalimet e tyre. Zotëri Aziri di thjesht pakënaqësinë qytetare e cila është unanime tek të gjitha komunitetet etnike për çështjen e gjyqësorit, ndoshta edhe përvojat personale, por edhe kritikat e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar. Ju siguroj që edhe një pjesë e konsiderueshme e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, të cilët pa dyshim që janë shumë të mirë dhe të ndershëm, janë të mendimit se sistemi gjyqësor dhe prokurorial ka mungesë të theksuar profesionalizmi dhe ndershmërie të kuadrit shqiptar, ashtu siç ka edhe tek maqedonasit, pavarësisht se tek ata mund të jetë gjendja më e rëndë, për arsye se janë më shumë në sistem dhe rasteve të bujshme që kanë në duar – gjykimi. Problemin me gjyqësorin e kanë të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor, kjo nuk ështe diçka e panjohur.

Nëse do të kishim arsyetime krejtësisht të drejta të aktgjykimeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, siç ju konkludoni, përse kritikën më të madhe nga ndërkombëtarët e kemi në drejtim të sistemit të drejtësisë?! Përse kemi korrupsion në të gjitha rrafshet edhe në vendbanimet shqiptare, nëse prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë i paskan të gjitha vendime profesionale dhe të ndershme?! Nëse shqiptarët e sistemit qenkan krej në rregull, pse nuk e ngrisin dhe nuk e kanë ngritur zërin në Këshillin gjyqësor, për padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve në dyert e gjykatave dhe prokurorive, me dekada rradhazi?! Prandaj gjyqësorin duhet ta shohim si një tërësi, një përgjegjësi e përbashkët, pavarësisht përkatësise etnike. Me gjithë rrespektin, në këtë pikë, unë nuk pajtohem me ju zv.ministër, sepse është fyese për të gjithë ne, për shumicën e cila ankohet nga sistemi i drejtësisë, se aktgjykimet e shqiptareve qenkan absolutisht të drejta, madje për teza doktorature.

 

Por unë pajtohem, e përgëzoj iniciativën, përpjekjen e zbatimit të vetingut nga Bashkimi Demokratik për Integrim, pikërisht për të pastruar atë pjesë e kalbur të gjyqësorit, në reformimin e një gjyqësori sa më objektiv, profesional dhe të pavarur. Ashtu siç kërkohet të largohet pjesa e kalbur e atyre funksionarëve që keqpërdorin detyrën zyrtare, qofshin të BDI-së apo jo. Shqiptarë janë edhe ata 50% e prokurorëve dhe gjyqtarëve që i ka shkarkuar vetingu në R.Shqipërisë, edhe pse janë shumë më të shkolluar, për shkak të sistemit dhe përvojës arsimore. Shqiptarë janë edhe në R.Kosovës ku vetëm sapo fillon procesi i vetingut. Aktgjykimet e padrejta më së shumti janë shkak i pandershmërisë sesa i profesionalizmit, i nderuar zv.ministër. Shejtani nuk ka etni i nderuar, ai është armiku i të gjithëve njëlloj. Partitë politikë, liderët, nuk mund tju mbajnë fenerin gjyqtarëve, prokurorëve apo funksionarëve, por ata ndërtojnë mekanizëm për kontrollin dhe ndëshkimin e tyre. Këtë kërkon të bëjë dhe shpresojmë të bëjë vetë Ali Ahmeti, nëpërmjet vetingut në drejtësi.

 

Shembulli si më poshtë është një pretendim i arsyeshëm anti-ligjshmërie, një shembull – përgjigje të cilën nuk mund ta jepte teknikisht as profesionalisht Elmi Aziri, në atë kohë të debatit televiziv, për qoftë edhe një të vetmin shembull aktgjykim të padrejtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptar. Prandaj shembulli i paraqitur në këte shkrim (prej të shumtëve shembuj ekzistues), i punuar nga profesionist të fushës, shërben në formë induksioni, nga e veçanta në kuptimin e problematikës së përgjithshme brenda sistemit. Se si përfundojnë dhe procedohen lëndët që ju mund ti konsideroni ligjërisht korekte. Ne zakonisht jemi mësuar të dëgjojmë denoncime të paligjshmërive të shumta në çështjet penale, pasi ato janë më të kuptueshme dhe më spektakolare për publikun, por antiligjshmëria është thuajse e njejtë apo më e konsiderueshme, në lëndët civile – kontestimore, të cilët, për hir të së vërtetës, janë më të komplikuara edhe për vetë median hetuese, por edhe nga kultura hezituese, frikësuese e denoncimit, që ka popullata jonë.

 

Për më shumë, shkeljet ligjore të trajtimit të kontratës, në aktgjykimet e këtij rasti (të shënuara si më poshtë me numra përkatës të lëndës), janë të pohuara edhe në konsultat, intepretimet e drejtëpërdrejta, me ish gjykatësin dhe civilistin e dalluar të Maqedonisë e Veriut, dhe më gjërë në ish Jugosllavi, me prof.dr.Kiril Çavdar, literatura juridike e të cilit, në intepretimet ligjore dhe procedurale të obligatave, është alfa dhe omega e lëndëve kontestimore në jurisprudencën tonë. Pavarësisht, nevojitet logjikë mesatare e një juristi, për të kuptuar vërtetësinë e këtij pretendimi të arsyeshëm. Ndërsa këtu do të përmbledhim çështjet kryesore të antiligjshmërisë, në formë të kuptueshme edhe për joprofesionistët e fushës. Do të merremi me thelbin e kontestit gjyqësor dhe arsyetimin e aktgjykimit, duke mos shfaqur identitetin e palëve dhe gjyqtarëve. Ndërsa ata profesionistë të cilët janë të interesuar më detajisht, mund të shërbehen me leximin e aktgjykimeve, në publikimin e vendimeve gjyqësore në faqet e internetit të gjykatave konkrete ku publikohen vendimet gjyqësor, me numrat e lëndëve të shënuara si më poshtë.

 

Shembulli: Shoqëria aksionare në cilësinë e personit juridik, bashkërisht me pronarin e aksioneve shumicë, paraqitur në cilësinë e personit fizik, lidhin kontratë të shkruar, me njërin prej anëtarëve të Bordit, të po së njejtës shoqëri aksionare. Kontrata parasheh që shoqëria aksionare, merr obligim, anëtarit në fjalë të Bordit të drejtorëve (quajtur ndryshe si bordi drejtues), në kohëzgjatje prej tetë vitesh, ti paguajë shpërblim të përcaktuar mujor. Pronari i aksioneve shumicë, po ashtu në kontratë, merr obligim, që me të drejtën e numrit të shumicës së aksioneve zotëruese në Kuvendin e shoqërisë aksionare, ti garantojë mandatin tetë vjeçar dhe pagesën e përcaktuar mujore, këtij anëtari të Bordit drejtues. Kontrata vazhdon të zbatohet rregullisht në kohëzgjatje rreth katër vite (gjysma e periudhës së kontraktuar), deri nga fundi i  vitit 2015, kur Bordi i drejtorëve i shoqërisë aksionare, me votat e shumicës, thërret mbledhje të Bordit të drejtorëve, me propozim shkarkimi të parakohshëm të anëtarit në fjalë. Më pas, me aktin e Bordit drejtues (votimin dhe propozimin), thërritet Kuvend i jashtëzakonshëm i aksionarëve, me rend dite: propozim shkarkimi i parakohshëm i anëtarit të Bordit të Drejtorëve. Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të aksionarëve, kryetar i Bordit të drejtorëve, përveç votës së propozim shkarkimit në Bordin e drejtorëve, me një akt të dytë, voton për shkarkimin e parakohshëm të anëtarit të Bordit (palën kontraktuese), me fuqinë e mbi 98,0% të aksioneve të tij pjesëmarëse në Kuvendin e aksionarëve, vota vendimtare e të cilit shkarkojnë këtë të fundit.

 

Si rrjedhojë, anëtari i Bordit të drejtorëve, padit në gjykatë shoqërinë aksionare për zhbërjen e vendimit të Kuvendit të aksionarëve, bazuar në shkelje procedural të mos pasjes së kvorumit të votave në Bordin drejtues, për mbajtjen e mbledhjes në të cilin u inicua shkarkimi, si dhe shkeljet procedurale të dhjetëra neneve të Ligjit për shoqëritë tregtare, para dhe gjatë procedurës së zhvillimit të kuvendit të jashtëzakonshëm të aksionarëve.

 

Padisë për zhbërjen e vendimit të Kuvendit të aksionarëve, shoqëria aksionare i bën kundërpadi, me kërkesë zhbërjen e kontratës tetë vjeçare, me arsyetimin se kontrata është inekzistente. Me po ato arsyetime që pronari i shumicës së aksioneve, njëherësh edhe kryetar i Bordit të drejtorëve, deklaron në Kuvendin e jashtëzakonshëm se: “kontrata nuk është valide, se ajo nuk ka as nënshkrim e as vulë” (vërtetuar këto deklarime në procesverbalin nr.307/15, nga noteri S. L). Megjithatë, para gjykatës themelore civile, nuk nxirret asnjë dëshmi për mospasje vule apo nënshkrimi, pa dorëzuar e kërkuar ligjërisht as ekpertizën e nënshkrimeve të kontratës, ose përgënjeshtruar vulën me numër të shënuar në regjistrat e shoqërisë aksionare. Kështu, kontrata në fjalë edhe në shkallë të parë edhe në shkallë të dytë, u vërtetua kontratë ekzistente dhe konform ligjit. U vërtetua ekzistenca e kontratës, por edhe pretendimet e shoqerisë aksionare të paraqitura në gjykatë, si arsye per shkarkimin e parakohshëm të anëtarit të bordit drejtues, u rrëzuan si të pabaza. Megjithatë, të njejtët gjyqtarë, legjitimuan shkarkimin, edhe atë,  në kthimin e lëndës në rigjykim, pa asnjë motivacion ekzistues të ndonjë shkeljeje të mundëshme ligjore, nga i shkarkuari anëtar i Bordit – kontratuesi, vetëm nga sugjerimit e gjykatës se Apelit Gostivar (kjo mund të vërtetohet me shqyrtimin e lëndës, në faqen e internetit, ku publikohen vendimet gjyqësore të gjykatave konkrete: Gjykata Themelore Dibër – П4.бр.13/2016, Gjykata e Apelit Gostivar – ГЖ.бр.564/2017”, dhe rigjykimi i lëndës: Gjykata Themelore Dibër – “П4.бр.13/2018, Gjykata e Apelit Gostivar – ГЖ.бр.842/18”).

 

Pasi anëtari i Bordit drejtues u shkarkua, dhe pasi në procesin gjyqësor të sipërshënuar, u pamundësua kërkesë padia për zhbërjen e vendimit të Kuvendit të aksionarëve, anëtari i shkarkuar i Bordit, konform Ligjit të obligatave, nenit 18, 3, 4, 20, 38, nenit 251… 258,  dhe nenet 141 dhe 198, padit shoqërinë aksionare dhe pronarin e shumicës së aksioneve, për dëmshpërblim të moszbatimit të kontratës, për pjesën e mbetur të katër viteve kontraktuese (që është edhe çështja kryesore e këtij denoncimi). Veçanërisht sipas nenit 252 të Ligjit të obligatave, i cili qartazi e sqaron se kur mund të lirohet nga një obligim, personi juridik apo fizik: “Borxhliu lirohet nga përgjegjesia e dëmshpërblimit nëse dëshmon se nuk ka pasur mundësi ta përmbushë obligimin, gjegjësisht se është vonuar në përmbushjen e obligimit për shkak të rrethanave të shkaktuara pas kontratës, të cilat nuk ka mundur ti ndalojë, largojë apo tju shmanget” – thotë neni 252. Në rastin konkret, edhe kur hipotetikisht të supozohet se kontrata ndërpritet me shkarkimin e paditësit nga Kuvendi i aksionarëve, përsëri shkaku i shkarkimit mbetet shoqëria aksionare, e cila me Bordin udhëheqës inicon akt juridik, shkarkimin e anëtarit (me të cilin paraprakisht ka lidhur kontratë 8 vjeçare) në Kuvendin e aksionarëve. Ashtu si dhe pronari i shumicës së aksionëve që voton në Bordin drejtues dhe ne kuvendin e aksionarëve në kundërshtim me kontratën e nënshkruar nga vetë ai. Nga cilido këndvështrim juridik ta shohësh, përgjegjësia e dëmshpërblimit nga pala e parë kontraktuese, shoqërisë aksionare dhe pronarit të shumicës së aksioneve, është më se evidente, dhe nuk mund të ketë arsyetim faktik apo material, një aktgjykim i këtillë i jashtë çdo logjike juridike, ku kontraktuesit amnestohen nga përgjegjësia për dëmshpërblim.

 

Gjykata e shkallës së parë Dibër, e rrëzon si të pabazë padinë për dëmshpërblim, të paditësit – anëtarit të Bordit drejtues. Në të gjithë faqet e arsyetimit të aktgjykimit, Gjykata themelore Dibër, bën përshkimin e fakteve në aspektin formal, paditë, përgjigjet në padi, përshkrimin e zhvillimit të seancave gjyqësore, dhe nga ajo që gjykata duhet të arsyetojë aktgjykimin, vetëm citon disa nene ku kinse e ka bazuar aktgjykimin, dhe vetëm konstaton shkurtimisht se sipas kësaj (referuar neneve), “paditësi nuk e bindi gjykatën për padinë, dhe se padia ështe në kundërshtim me përfundimin e nxjerrë nga gjykata; se nuk është treguar se për shkak të mospërmbushjes së kontratës, të paditurit duhet ti paguajnë dëmshpërblim paditësit”, vetëm kaq arsyeton Gjykata themelore Dibër, e gjitha tjetra është përshkrim i padive, përgjigjeve në padi dhe ajo që është paraqitur nga palët në seancat gjyqësore. Gjykata nuk jep arsyetushmërinë juridike të dizpozitave material ku thirret se e ka bazuar aktgjykimin, me rastin konkret. Gjykata citon nenet 177 paragrafi 1, i Ligjit të procedurës kontestimore, neni 141 paragrafi 1, 142,145 dhe 158 paragrafi 1, i Ligjit për marrëdhëniet detyrimore, të cilat nene në vetvete përshkruajnë marrëdheniet obligative mes palëve interesin juridik, dëmin dhe dëshmperblimin kontraktues. Citon të njejtat bazamente ligjore në të cilat thirret edhe paditësi, anëtari i  Bordit të drejtorëve, për dëmshpërblimin e kontratës, por me një dallim esencial nga gjykata, duke treguar pse-në e rastit konkret, ku është shkaku, dëmi dhe pasoja, atë që gjykata themelore nuk e bën, edhe pse kjo paraqet pjesën kryesore të arsyetushmërisë së aktgjykimit.

 

Çfarë është me absurde, gjithë dispozitat ligjore të cituara nga gjykata, si dhe përshkrimi i disa aktgjykimeve të tjera të kontestit mes palëve (sa për të mbushur faqet e aktgjykimit), gjykata arsyeton me rastin konkret, vetëm me një konstatim të shkurtë, ku thotë: “sipas fakteve të nxjerra në sencat gjyqësore, nuk u tregua se për shkak të mospërmbushjes së kontratës, të paditurit duhet ti paguajnë dëshmpërblim të paditurit.” Vetëm kaq. Kaq arsyeton gjykata themelore Dibër të gjithë aktgjykimin dhe bazamentin ligjor ku është thirrur. E gjitha tjetra pastaj është përshkrim i përsëritshëm i asaj që janë paraqitur nga palët, si dhe përshkruan në arsyetim përgjigjen e padisë nga pala tjetër. Për ata që janë skeptik se ka gjykatë që mund të shkruajë vetëm këtë në arsyetim aktgjykimi, se kjo mund të jetë arsyetushmëria e citimit të neneve me nje rast konkret, le të lexojnë aktgjykimin publikuar në faqen e internetit të gjykatës konkrete Dibër, me numër lënde “П4.бр.25/18”).

 

Gjykata themelore Dibër, nuk sheh faj, përgjegjësinë e dëmshpërblimit të moszbatimit të kontratës, as të personit fizik kontraktues – pronarit të shumicës  aksionare, e as të shoqërisë aksionare si person juridik. Nuk sheh faj të pronarit të shumicës aksionare, kur ai me votën e tij shumicë, mundëson shkarkim në Kuvendin e aksionarëve në kundërshtim me kontratën dhe pa asnjë motivacion ligjor shkarkimi (vërtetuar kjo me aktgjykimin e plotfuqishëm “ГЖ.бр.842/18” të Gjykatës së Apelit). Në këtë rast, jo vetëm që kemi të bëjmë me kontratë të plotëfuqishme, por edhe sikur ajo të ishte bërë e pavlefshme me ndonjë vendim gjyqësor hipotetik, ajo përsëri do duhej ligjërisht të dëmshpërblehet, sepse ligjërisht  pasojat për një kontratë të paligjshme i mbart shoqëria aksionare, personi përgjegjës në personin juridik. Aq më shumë kur këtu kemi përgjegjësinë edhe të personit fizik, poseduesit të shumicës aksionare. Kontratë me dy nëshkrime të njërës anë kontraktuese, që e bën përgjegjësinë e moszbatimit të kontratës dhe dëmshpërblimit, edhe më të betonuar në aspektin ligjor, por çuditërisht dioptria juridike e gjykatës themelore, nuk mund ta shohë këtë fakt evident si “elefant” para gjykatës. Minimalisht, secili jurist me këtë aktgjykim, mund ta pyesë veten dhe me të drejtë të mendojë se gjykatat tona mundeshkan të privojnë çdo pasuri të drejtë, pasuri luajtshme dhe të paluajtshme të qytetarëvë, vetëm me arsyetueshmërinë e fjalëve të shënuara në aktgjykim “e bindi, nuk e bindi gjykatën”. Të radhiten disa nene në faqet e arsyetimit, dhe të thuhet se sipas kësaj që gjykon gjykata, prona apo e drejta, i takon oligarkëve apo x ndikimi politik, pa dhënë arsyetimin ligjor se pse i takon?! Pa bërë arsyetimin e neneve të cituara me rastin konkret. Pa bërë minimalisht as edhe një arsyetim të gabuar. Në këtë rast, skemi fare arsyetim të përshkruar me rastin konkret. Dhe kjo ka një shpjegim logjik, gjykata ska ditur çfarë të arsyetojë për ta mbështetur aktgjykimin, dhe e ka mbuluar arsyetimin me fjalinë tymnajë: “paditësi nuk e ka bindur gjykatën”.

 

Aktgjykimi i shkallës së parë, apelohet në Gjykatën e Apelit Gostivar. Apeli, si në orkestrim gjykatash, më një aktgjykim të varfër, të mangët edhe për nga forma elementare e aktgjykimit, në të gjithë aktgjykimin, nuk arsyeton më shumë se dy tre rreshta aktgjykimin, identik, të kopjuar thuajse fjalëpërfjalshëm nga gjykata themelore, duke lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë. Apeli në të gjithë faqet e aktgjykimit, vetëm përshkruan formalisht dhe tekstualisht aktgjykimin e shkallës së parë. Nga ato pak fjali që shkruan në pjesën arsyetuese të aktgjykimit janë pikërisht ato fjalitë abuzuese me aktgjykimin (ngjashëm si shkalla e parë), ku thotë: “Sipas këtij gjyqi (Apelit), kështu ankesat e referuara, janë të pabaza, me arsyen se gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka vërtetuar se paditësi, pas vendimit për revokim të paditësit nga anëtari i Bordit të drejtorëve, mes paditësit dhe të paditurit, nuk ka treguar se ka marrëdhënie obligative mbi të cilën paditësit duhet të paguajnë dëmshpërblim”. Ja ky është i gjithë aktgjykimi i apelit, të tjerat që ka shkruajtur janë përshkrim i lëndës zhvilluar në shkallë të parë.

 

Ata juristë, gjyqtarë profesionistë të gjykatave civile – kontestimore, ata që kanë lexuar ndonjëhere aktgjykime, e kuptojnë sadopak se si duhet të arsyetojë aktgjykimin gjykata e shkallës se dytë, të arsyetojë faktet mbi të cilat është dhënë aktgjykimi, bazën ligjore të vendimit, interpretimin e ligjeve që ju referohen me rastin konkret. E kuptojnë papërgjegjshmërinë e skajshme të aktgjykimit të Apelit. Mjerisht thyhen të gjitha standartet e sjelljes së një aktgjykimi. Sepse vetëm e thëna “nuk ka treguar se ka marrëdhënie obligative”, nuk mund të jetë arsyetim në asnjë aktgjykim të gjykatave, pa dhënë arsyen se pse nuk e ka bindur gjykatën, pa arsyetur ligjin në kontekst me lëndën konkrete (për vërtetësi të kësaj që pohojmë, që mund të duket krejtësisht e pamundur, mund të shqyrtohet aktgjykimi i Apelit Gostivar në ëeb faqen e publikimit të vendimeve gjyqësore  “ГЖ.бр.455/19“.

————

Nuk mbaron këtu saga e anti-ligjshmërisë e sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Anëtari i shkarkuar i Bordit të drejtorëve, i drejtohet Këshillit gjyqësor me ankesë, duke i dorëzuar të gjithë dosjen e lëndës, për tu vërtetuar ushtrimi i pandërgjegjshëm dhe joprofesional i funksionit të gjyqtarit të Gjykatës themelore Dibër dhe Apelit në Gostivar. Kërkohet vërtetim i lëndimit të gjendjes faktike dhe materiale, me aktgjykimet e dy gjykatave, dhe që lënda të kthehet në rigjykim (theksojmë që Këshilli Gjyqësor në kohën e dorëzimit të kësaj ankese, kishte marrë edhe kompetencat e ish Komisionit për verifikimin e fakteve, për ligjshmërinë e punës së gjyqtarëve). Ankuesi, i parashtron çështjen Këshillit gjyqësor, ndër të tjerash, duke e pyetur se, në çfarë bazamenti ligjor është bazuar aktgjykimi i kësaj lëndë?! Dispozitat ligjore që janë thirrur gjykatat në fjalë, a kanë të bëjnë me çështjen, apo janë thirrje në ligje fiktive, që skanë të bëjnë fare me lëndën dhe aktgjykimet s’kanë arsyetyshmeri me nenet qe thirren?!

 

Kur në rastin konkret kemi:

  1. Lëndim të kontratës e cila me vendim të plotfuqishëm gjyqësor vërtetohet si kontratë valide.
  2. Paditësi, në asnjë rast paraprak në procedurë disiplinore, administrative, civile, kundërvajte apo penale, nuk shpallet si fajtor, as edhe nuk ka pasur një pretendim të tillë nga të paditurit për ndërprerjen e kontratës.
  3. Kemi marrëdhënie obligative juridike, nga e cila lind obligimi i të paditurit për dëmshpërblim; kemi dëmtuesin dhe të dëmtuarin; veprim të dëmshëm si lidhje e arsyeshme e cila lidhë veprimet dhe dëmin si bazament për dëmshpërblim.

 

Për ta thjeshtëzuar dhe kaluar në pyetje amatore, pyetet Këshilli Gjyqësor se, nësë këtë aktgjykim e marrim si të mirëqenë: Çfarë bëhet me fatin e kontratës së ligjshme, plotfuqishme!? Qëndron kontrata në ndonjë vakum?! Pse ekziston institucioni kontratë, nëse ai nuk merret parasysh dhe mbivendoset me aktet e çfarëdo organi apo indivi, kushdoqoftë ky?! A nuk do të mundet që sipas këtij rasti, edhe kontratat e shiblerjes së shtëpive, fletëpronësitë apo pasuritë e qytetarëve, ose x marrëdhënie obligative të shkruar, të mos merren parasysh nga gjykatat dhe të jepen akgjykime sipas “bindjeve të pavarura” të gjyqtarëve, edhe kur ato skanë bazamente ligjore adekuate, edhe kur mbushin aktgjykimet me thirrje në ligje që skanë të bëjnë fare me lëndët?!

 

Për më tepër, në ankesë drejtuar Këshillit gjyqësor, i theksohet se, në rastin konkret kemi dy të paditur, shoqëria aksionare dhe personi fizik – poseduesi i aksioneve shumicë.Sipas aktgjykimeve, asnjë nga këto dy palë, nuk dëmshpërblen cënimin e kontratës së plotefuqishme.

Këshilli gjyqësor, në përgjigjen në lidhje me ankesën e ish anëtarit të Bordit të drejtorëve (evidentuar përgjigja me nr “УПП 08-429/19”), jep këtë arsyetim: “Ankesa është shqyrtuar në mbledhjen e Këshillit me 28.11.2019, dhe nga shqyrtimet dhe përgjigjet që kanë marrë nga gjykatësi që ka proceduar me lënden konkrete, del në pah se gjyqtarët e lëndëve konkrete kanë vendosur në korniza të kompetencave të tyre, në përputhje me ligjet materiale dhe procedurale.” Pak rreshta më poshtë, po në përgjigjen e Këshillit gjyqësor, thuhet: “Këshilli gjyqësor i Republikes së Maqedonisë së Veriut, nuk ka kompetenca të lëshohet në vërtetimin e gjendjes faktike, por as të ndikoje tek gjykatësi për të sjellë çfarëdoqoftë vendimi. Nisur nga kjo, Këshilli nuk gjeti elemente për joprofezionalizëm dhe procedim të pandërgjegjshëm nga ana e gjyqtarit që ka proceduar me lëndën.”

 

Pra, Këshilli gjyqësor i R.Maqedonisë së Veriut, thotë se, mbasi ska kompetenca për të shikuar gjendjen faktike të lëndës, dhe nuk mund te ndikojë tek bindjet e pavarura të gjyqtarëve, konstaton se tek gjyqtarët në fjalë nuk ka mungesë profesionalizmi, anshmërie në lëndën konkrete. Me një fjalë, Këshilli gjyqësor që ligjërisht duhet të kontrollojë ligjshmërinë e punës së gjyqtarëve dhe që ka marrë kompetencat e Komisionit për verifikimin e fakteve, e bën reformimin e gjyqësorit, duke shikuar vetëm normën e lëndëve që kanë zgjidhur gjyqtarët gjatë muajit, procedurat formale të zhvillimit të lëndëve, apo kohëzgjatjen e zhvillimit të seancave, ose ndërhyrje dhe shqyrtim serioz të ndonjë lëndë, ndikuar nga telefonata me ndikim të kuptueshëm. Për verifikimin e fakteve, arsyetimin e lëndëve, se me çfarë aktgjykimesh e ligjësh bëjnë kërdinë gjyqtarët, për këtë se fut ujin në zjarr, ky Këshilli i deritanishëm i “reformuar” gjyqësor.

 

Ndoshta dikush mund të pyesë se pse kjo lëndë, ky rast konkret, mund të shkojë deri në këtë nivel antiligjshmërie institucionale, dhe se çfarë është interesi për të bërë gjithë këtë shkelje, kur në pyetje janë vetëm dhjetëra mijëra euro dëmshpërblim. E vërteta është se me këtë lëndë, nga të interesuarit në proces, ndoshta kërkohet të mbulohet dhe arsyetohet lëndë tjetër e vlerave të mëdha aksionare, e gjykuar thuajse në mënyrë me antiligjore se kjo, me po të njëjtët gjykata. Më antiligjshmërisht për shkak të shkeljes nga gjykatat të elementeve kryesore të bazamentit të aktgjykimeve, interesit juridik dhe dëshmive të rrejshme gjyqësore.

 

Si këto aktgjykime, me siguri është edhe fati i një mori aktgjykimesh në mbarë gjykatat e vendit, në çështje penale dhe civile, që dëmtojnë shumicën e popullatës, qofshin këta shqiptarë apo jo, i nderuar zv.ministër. Për çka edhe duhet reformë rënjësore në drejtësi, reformë pa të cilën, nuk mund të ngritet shteti i së drejtës.