Shkruan: Alpin Ollogu
Mbrëmjen e kaluar, fill pas daljes së rezultateve fituese për qytetin e Shkupit, kandidatja e pavarur Danela Arsovksa e cila arriti të mundë kandidatin e LSDM-së Petre Shilegov me një diferencë të dukshme votash, formalisht u “var“ në selinë e VMRO-së, nën shoqërinë e tingujve të këngës komuniste “bella ciao“, shumë e dashur për Levicën shoviniste të Apasiev-it. Plani i VMRO-së u realizua, kandidatja Arsovska, kurthin ndaj shqiptarëve për të parën e shkupit e arriti suksesshëm, kurth në të cilën ra plotësisht opozita shqiptare, duke ja dërguar me fustan të bardhë, peshqesh, Arsovskën selisë së VMRO-së. Nën ritmin e këngës „bella ciao“ dhe entuziazmit të simpatizantëve të VMRO-së, opozita shqiptare mundësoi që edhe flamuri kuq e zi të valëvitej para selisë e cila nuk e njohu dhe nuk ka treguar shënja se e njeh gjuhën shqipë si gjuhë zyrtare në Maqedoni. Tregtar flamujsh, siç shkruante Ernest Koliqi për keqpërdorimin e flamurit kombëtar për interesa jokombëtare, pos interes pushteti, përderisa VMRO-ja në çështjen kyçe aktuale nacionale të shqiptarëve, përdorimin e gjuhes shqipe, ka qene dhe mbetet kundërshtuese. Do të ishte e arsyetueshme nëse opozita dhe VMRO-ja obligoheshin të qeverisin në koalicion qeverisës me vullnetin e shumicës nga të dy kampet, por në këte situatë parazgjedhore, pa shumicë, flamuri para selisë së Mickovskit, është tregti e pastër me flamur.
Opozita shqiptare edhe pasi humbi votën e shumicës për këshillat e komunave në rrethin e parë zgjedhor, e cila në fakt është vota nacionale e partive, vazhdoi me avazin e PDSH-së së dikurshme për ti dhënë vota kandidatëve nga kampi maqedonas të cilët në historinë e tyre politike nuk kanë dëshmuar raport të drejtë me interesat shqiptare, e gjitha kjo për disa kalkulime pushteti. Fatkeqësisht me këto akte opozita rrezikoi Kërçovën, ju humbi shqiptarëve Bërvenicën, mundësoi humbjen e bashkëpunuesit të dëshmuar me shqiptar, siç ishte Petre Shilegov. Opozita e dëshpëruar nga të qëndruarit në opozitë, nuk duroi, shkeli mbi parimet që kishte vendosur me herët dhe mbështeti atë që s’duhej, por kjo i’u kthye në kundërvotë, ashtu si i ktheheshin edhe PDSH-së kur bënte të tilla lëvizje. Nëse vazhdon kështu, kundërvota do të vazhdojë ti thellohet në zgjedhjet e radhës. Opozita u zhvilluara kur e le qeverinë per një ministri të diskutueshme, por tani humb dhe do të humb për ngjitjen në qeveri, duke shkëlur parime më të mëdha se ministritë.
Me këtë metodologji, e ardhmja e opozitës shqiptare duket shumë e zbehtë. Çdo pushtet i pretenduar i saj pa shumicën e shqiptarëve është iluzion i humbur, ashtu si e ka treguar historia e politikës në këto anë. Shumica çdoherë zgjedh me të mirin e mundshëm, derisa ajo e mendon si më të mirin. Një pjesë voton për pushtet, ambicje klanore personale, por shumica çdoherë voton drejt e për ta fituar shumicën duhet vepruar drejt, me durim, metodologji të drejtë dhe interes kombëtar të mirëllogaritur. Sovrani çdoherë ka të drejtë dhe kjo historia e vjedhjes së votave është tashmë retorikë e kaluar, ose është ajo që akuzuesi do të donte të bënte po të ishe në pushtet. Rruga e padrejtë çdoherë të çon në humbje, sado të duket e embël me muzikë „bella ciao“ apo ndriçim falso.
Lëvizja Besa ngadhnjeu ndaj Alternativës me një qasje të drejtë politike e partiake, sepse udheheqja e Alternativës dështoi në rrugë gjyqësore të tregojë se ajo kishte të drejtë në kontestin me Bilall Kasamin, e kështu Bilalli fitoi. Alternativa as në rrugë jogjyqësore nuk nxori një fakt të vetëm për falsifikimet e pretenduara apo anshmërinë e gjykatës. Nuk bëri as ekspertizat e fakteve që minimalisht t’ja paraqiste publikut (me siguri ska pasur gjë). Vota e Bilallit tregon se ai ka pasur mbështetjen në Kongresin e partisë. Pastaj padrejtësia që ju bë Kasamit nga Aleanca për ta përjashtuar nga koalicioni opozitar, e gjitha në fund çoi ujë në mullirin e Lëvizjes Besa, e cila qëndroi korrekt dhe për më tepër zgjodhi të koalicionojë me LSDM-në e dëshmuar pro shqiptare.
BDI-ja humbi aty ku kandidatët ishin shumë më të dobët se partia. Humbi në dy qytete të rëndësishme, Gostivar e Tetovë, kryesisht me dy figura të konsumuara, irrituese për popullatën por edhe për vetë anëtarësinë e partisë, prandaj edhe diferenca e humbjes ishte e madhe. Populli nuk është dele, ata që e merrin popullin për dele gabojnë rëndë. Këtë duhet ta kenë vath në vesh si opozita ashtu edhe pozita shqiptare, sepse ndëshkimi popullor nuk vonon. Populli nuk është dele kur e voton Ahmetin, por nuk ështe dele as kur e ndëshkon Ahmetin. Sot popullata është e informuar për gjitthçka e gjithçka është e regjistruar, e arkivuar. Rrjetet sociale, mediat e shumta nuk lënë hapësirë për të fshehur gabimet por as për të mos i shfaqur të arriturat. Dyfish është i dënuar ai që i përsërit gabimet e njëjta. Tregtarët e flamujve kanë dështuar të marrin votën e shumicës, nuk ka mundur ta bejë as Arbën Xhaferi, e jo më të tjerët. Populli vlerëson dinjitetshëm dhe e zgjedh të mirën më të madhe apo të keqen më të vogël.
E sa i takon trumbetimve për shumicën e re parlamentare, ta kemi të qartë se ajo nuk mund të ngrihet pa shumicën e sovranin shqiptar. Bashkimi Demokratik për Integrim, do të shkojë në opozitë kur ta kërkojë sovrani, jo VMRO-ja apo opozita shqiptare. Fituesi nga kampi maqedonas do të duhet të trokasë përsëri para dyerve të selise blu në Reçicë, nëse kjo e fundit i fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjegjësisht fiton shumicën e deputetëve të kampit shqiptar, e sikur duket do ti fitojë, pasi opozita kërkon rrugën e lehtë të pushtetit. Por çdo gjë që arrihet lehtë, vlen dhe zgjat shumë pak.