Ollogu:Korrupsioni në këtë shtet, nuk ka “emër dhe mbiemër”

Nga Alpin Ollogu Korrupsioni në këtë shtet, nuk ka “emër dhe mbiemër”,
i nderuar zv. Drejtor i Akademisë për Gykatës dhe Prokurorë!

Marketing

Këto ditë, në një debat televiziv me tematikë të gjyqësorit, korrupsionit në sistemin e drejtësisë, zv.drejtori i Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë, z. Ilir Iseni, shpalosi pikëpamjet e tij për korrupsionin në gjyqësor. Ndër të tjerash zv.drejtori deklaroi: ”personat në fjalë (e ka fjalën për ata që thonë se ka korrupsin në gjyqësor) nuk kanë fakte konkrete, prova konkrete, mirëpo e marrin të drejtën (për të akuzuar), në fund të fundit, në anën tjetër kemi qenie njerëzore (gjykatësit dhe prokurorët) dhe prekin në dinjitetin dhe integritetin dhe në personalitetin e një personi (gjykatësi apo prokurori), sepse ne mund të komentojmë diçka, apo të themi se ka korrupsion, në qoftëse ajo ka një zgjidhje gjyqësore, nëqoftese kemi një vendim të plotfuqishëm gjyqësor dhe atëherë është vërtetuar me prova edhe me fakte se aty kemi korrupsion”.

Pra, sipas zv.drejtorit, për të folur për korrupsion në gjyqësor, paraprakisht duhet të kemi vendime të plotfuqishme gjyqësore, fakte konkrete, që të fitohet e drejta për të thënë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar, apo se x gjykatës apo prokuror është i korruptuar, kur i njëjti sjell vendime antiligjore – joprofesionale, vendime që i vulos symbyllur Këshilli Gjyqësor, i cili merr në përgjegjësi vetëm për shkelje procedurale. Të gjithë treguesit dhe raportet ndërkombëtare, praktikat e palëve në proces, opinionit dhe mediat e shumta vendase që shpalosën skandalin e përgjimeve, vlerësojnë sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, si sektorin më të korruptuar në vend, sistem i cili përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë, por pa emër dhe mbiemër, apo të dënuar me aktvendim të plotfuqishëm gjyqësor.

Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, nuk ka “emër dhe mbiemër”, nuk ka as fytyrën e “vendimit të plotfuqishëm gjyqësor”, ku një gjykatës, prokuror, mjek apo zyrtar i lartë, të dënohet me fakte dhe vendime të plotfuqishme për korrupsion – keqpërdirim i detyrës zyrtare (përjashtuar një numri minimal nga të dënuarit – sa për sy e faqe), sepse realisht, ashtu si dihet nga të gjithë, keqfunksion sistemi i hetimit dhe ndëshkimit, që nga Ministria e punëve të Brendshme, Prokuroria dhe Gjykatat. Në sistemin tonë korrupsioni e ka fytyrën e fshehur, ashtu si emrin dhe mbiemrin, maskuar dhe shpëtuar nga drejtësia e anshme dhe e pandershme. Zv.drejtori, gjatë emisionit deklaroi se: “në 10 apo 12 vitet e fundit, ka ndodhur që nga gjithë ato shkarkime që janë bërë nga Këshilli gjyqësor, ku me siguri janë afër 50 shkarkime, që vetëm ndaj 2 gjykatësve ju është vërtetuar me vendime të plotfuqishme gjyqësore se ata kanë qenë të korruptuar, ndërsa të tjerët nuk janë shkarkuar për çështje partiake, por për çështje procedurale”.

Nëse bazohemi me këto statistika, konstatojmë që në këtë shtet të rrjepur nga vjedhja, nuk paska korrupsion, në sistemin e drejtësisë nuk paska korrupsion meqë për 12 vite e kaluara qenkan shkarkuar vetëm 2 gjykatës për korrupsion. Ky konstatim bie ndesh me logjikën, me gjendjen reale në gjykata dhe prokurori, e dëshmuar me fakte edhe për opinionin e gjërë me aferën e përgjimeve, se si vendoseshin aktgjykimet me telefonat e zyrtarëve (edhe në atë kohë korrupsioni nuk kishte emër dhe mbiemër). Sepse, është pikërisht sistemi i drejtësisë ai që duhet të vërtetojë korrupsionin e gjykatësve dhe prokurorëve, të dalin emrat dhe mbiemrat, por kur ky i fundit nuk funskionon, si të dalin emrat dhe mbiemrat?! Ambasadorja e sapoemëruar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës fokuson korrupsionin në vendin tonë si problemin më serioz, ajo gjithashtu nuk përmendi asnjë emër dhe mbiemër nga sistemi i drejtësisë, ngase për atë duhet të punojë vetë drejtësia!

Korrupsioni në gjyqësorin – prokurorinë e vendit tonë, ka një fytyrë tjetër, ka fytyrën e vendimeve antiligjore e joprofesionale, vendimeve antiligjorë që kalojnë para hundës së Këshillave gjyqësor e prokurorial, duke vulosur padrejtësinë, pavarësisht dëmit që i shkaktohet qytetarëve dhe buxhetit të shtetit, taksapaguesve të saj. Korrupsioni ka fytyrën e zvarritjes së dosjeve penale me vite të tëra, për të vjetërsuar ato dhe shpëtuar kriminelët nga emri dhe mbiemri i dënimit të plotfuqishëm.

Gjykatësit dhe prokurorët nuk shkarkohen thjesht për shkelje procedurale, por kryesisht shkarkime politike, ose të pambrojturit politikisht, i nderuar zv.drejtor, sepse realisht nuk ka gjykatës dhe prokuror që nuk bën ndonjë shkelje procedurale gjatë punës së tij (për shkak të volumit dhe ngarkesës së punës), por nuk shkarkohen të gjithë, dhe nuk avancohen të gjithë në sistemin e drejtësisë me meritokraci, dhe për këto besoj nuk ka nevojë emër dhe mbiemër konkret. Ky është një problem i gjyqësorit shumë i dukshëm, është një problem edhe i pjesës së konsiderueshme të gjykatësve dhe prokurorëve, që kolegët e tyre jo të ndershëm dhe joprofesionist, ju nxijnë emrin dhe ju zhbëjnë meritokracinë e avancimit profesional.

Gjatë emisionit, zv.drejtori u ankua se po bëhet gjeneralizim i situatës, se po i akuzojnë të gjithë gjykatësit dhe prokurorët si të korruptuar. Por e vërtëta është ndryshe, askush nuk ka thënë që të gjithë gjykatësit dhe prokurorët janë të korruptuar, këtë nuk e ka dëgjuar askund në media apo raporte ndërkombëtare zv.drejtor, por është thënë dhe thuhet se sistemi i drejtësisë është shumë i korruptuar, por jo se ska prokurorë dhe gjykatës të ndershëm dhe profesionistë, madje ka shumë. Prandaj gjeneralizim në këtë rast po bën vetë zv.drejtori, si arsyetim ndoshta për ti ikur pyetjes së moderatores se a kemi korrupsion në sistemin e drejtësisë dhe sa është ai.

Korrupsioni, keqpërdorimi i detyrës zyrtare në gjykata dhe prokurori, ështe më se evident dhe atë jo të disa individëve, por të kalbëzimit të sistemit me shumë individë, gjë që e vërtetojnë raportet ndërkombëtare, përvoja e gjerë e qytetarëve, afera e përgjimeve, qindra e mijëra vendime antiligjore, civile dhe penale që kanë shkatërruar dinjitetin e palëve në proces, jo dinjitetin e gjykatësve dhe prokurorëve që marrin paga, por të palëve në proces. Atyre qenieve njerëzore, hallexhinjve, frymorëve të vërtetë, ku ju vidhet pasuria nga kriminelë në procese gjyqësore civile, në procese gjyqësore penale, ku ju humbet nderi dhe dinjiteti me shfajësimet e vrasësve apo dënimet qesharake për persona me akte të rënda kriminale. Vidhet nderi dhe dinjiteti i taksapaguesit të këtij vendi të varfër të Ballkanit. Me vendime të plotfuqishme gjyqësore, kalojnë pa “ferrë në këmbë”, kriminelët e të gjitha llojëve, të pasur dhe me pushtet politik. E në këto kushte të pashpresa, të një pasigurie sistemi dhe sistemore, forca punëtore e këtij vendi merr rrugën e mundimshme dhe të pakthyeshme të mërgimit.

Nëse zv.drejtori i Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë, krenohet me akademikët e rinj që janë bërë gjykatës dhe prokurorë dhe që prej tyre nuk është shkarkuar asnjë për korrupsion, ashtu siç tha vete gjatë emisionit televiziv: “nëse flasim për rezultate, deri sot nuk ka ndodhur që ndonjë kandidat që ka dalë nga akademia, të jetë shkarkuar për ndonjë farë shkaku nga Këshilli gjyqësor”, atëherë zv.drejtori duhet të krenohet edhe me gjithë dekadat e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, ashtu si e pohoi vete, se për 12 vite të kaluara, Këshilli gjyqësor ka shkarkuar vetëm 2 gjykatës për korrupsion, dmth që akademikët e rinj, nuk janë më të pastër se ata prokurorë dhe gjykatës që kanë qenë në sistem pa filtrin e akademisë.

Ndër të tjerash zv.drejtori me të drejtë konkludon: “mendoj se duhet një analizë e përgjithshme, për të shikuar se ku ngecen realisht puna (në sistemin e drejtësisë)”.

Po, puna ngec aty ku ju i nderuar zv.drejtor, ashtu si forcat politike, i shmangeni në çdo mënyrë, me vite të tëra, aplikimit të vetingut në drejtësi. Veting për arsyetushmërinë ligjore të vendimeve gjyqësore, posaçërisht lëndëve me vlera të mëdha parash si dhe rasteve të rënda penale. Veting për hetimin e lidhjes së gjykatësve dhe prokurorëve me krimin e organizuar, si dhe veting ndaj pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këtu ka ngecur e gjithë puna.