Omer Bunjaku para duelit me Dinamo Zagreb: Nëse fitojmë do të bëjmë histori

Nga tre ekipe shqiptare që ishin në Ligën e Kampionëve Ballkani, Tirana dhe Shkupi në fund mbeti vetëm një. Dhe, ajo është Shkupi e cila në fazën e dytë kualifikuese do të luajë ndaj Dinamo Zagreb. Në një prononcim për Gazeta Metro drejtori sportiv, Omer Bunjaku, ka folur rreth pritshmërive të tij për duelin ndaj ekipit kroat dhe gjasat për të kaluar më tutje.

Marketing

Shkupi si kampione në fuqi e Maqedonisë së Veriut nesër në stadiumin e famshëm ‘Maksimir’ do të përballet kundër Dinamo Zagreb me fillim nga ora 21:00.

Për të folur rreth kësaj ndeshje tejet interesante mes dy ekipeve ballkanike, Gazeta Metro ka kontaktuar me drejtorin e Shkupit, Omer Bunjaku, i cili fillimisht tha se nëse do të fitojnë atëherë do të bëjnë historinë.

”Do të mundohemi të luajmë dy ndeshje sa më mirë, e dimë që nëse fitojmë do të bëjmë histori dhe të gjithë lojtarët janë gati për këtë,” tha ai.

Shpresat se mund të arrijnë një rezultat pozitiv ndaj kampionëve të Kroacisë, Bunjaku i mban te trajneri i klubit, Goce Sedloski. Ky i fundit para se të merrte drejtimin e Shkupit ka qenë trajner i akademisë së Dinamo Zagreb dhe sipas drejtorit ai ka njohuri të mëdha rreth kundërshtarit.

”Ekipet ne e dimë mirë thirrjen e Dinamos, e them këtë sepse edhe trajneri ynë është një legjendë e Dinamos dhe ka punuar prej kohësh si trajner dhe disa nga lojtarët i ka stërvitur vetë dhe e di çdo lëvizje të tyre, por të gjithë e dimë Dinamo se sa e fortë është,” theksoi ai.

Bunjaku u pyet se çfarë ndjenje është të jenë ekipi i vetëm shqiptar në fazën e dytë të Ligës së Kampionëve dhe në përgjigjen e tij modeste menjëherë kujtoi eliminim e dy ekipeve tjera, Ballkani dhe Tirana, duke thënë se ndjehet keq për këtë.

”Jemi krenarë por në të njëjtën kohë ndihemi keq për Ballkanin dhe për Tiranën, të dyja skuadrat luajtën mirë por fati nuk ishte me to, shpresojmë të bëjmë të gjithë kombin të lumtur për të qenë sa më gjatë në Europë,” shtoi ai për Gazeta Metro.

Për fund, drejtori i Shkupit ftoi të gjithë tifozët nga trevat shqiptare, me theks të veçantë kosovarët, të shkojnë më 26 korrik në ndeshjen kthyese në Maqedoninë e Veriut dhe t’i përkrahin bardhë e kaltrit.

”Të gjithë tifozët janë të mirëseardhur, sidomos tifozët kosovarë janë më afër dhe ju bëj thirrje të vini në Shkup, ne kemi nevojë për të gjithë,” përfundoi ai.

Shkupi në fazën e parë mposhti ekipin nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, me rezultat të përgjithshëm 2-3. Ndërkaq, nëse eventualisht e eliminon Dinamo Zagrebin atëherë do të luajë me fituesin e ndeshjes Ludogorets-Shamrock Rovers.