Pas lënies së mandateve, opozita po sheh mundësinë e tërheqjes së të zgjedhurve lokalë në Shqipëri.
Qëndrimi i opozitës pritet të radikalizohet pas protestës kombëtare të 16 marsit, konfirmuan aleatët historikë.
“Këto do të diskutohen pas datës 16. Të jeni të sigurt që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë. Në të gjitha institucionet, në të gjithë hapësirën shoqërore, politike dhe ndërkombëtare. Këtë do e përcaktojmë pas datës 16 Mars, kur do të jetë dhe protesta e madhe”, deklaroi Dashamir Shehi.
Ndërsa Fatmir Mediu tha se opozita duhet të bëjë çdo gjë që do ta çojë Shqipërinë në binarët kushtetues dhe evropianë.
Por, në bllok partnerët evropianë dhe amerikanë kanë kundërshtuar djegien e mandateve të opozitës.
Për këtë, Shehi tha: “Ne gjykojmë se ndërkombëtarët kanë marrë pozicionin e vet, tradicional, klasik, që këtu para demokracisë vihet stabiliteti. I mirëkuptojmë. Por, gjykojmë se nga pozicioni i sotëm i demokratëve, ndryshe nga ai që ishte para tre muajve, ka një avancim shumë të madh.
Kanë filluar ta kuptojnë edhe ata që sa të jetë zoti Rama do të ketë gjithnjë e më pak stabilitet, gjithnjë e më shumë drogë dhe krim të organizuar. Kështu që jemi edhe në rrugën për t’i bindur edhe ndërkombëtarët për këtë punë”.
Tirana pritet të ketë peshën kryesore për protestën e ditës së enjte para Parlamentit. Për këtë arsye, kreu demokrat Lulzim Basha krahas aleatëve mblodhi edhe krerët lokalë të kryeqytetit./TCh/