Opozita shqiptare e gatshme për tryezën e përbashkët para referendumit

Të gjitha partitë politike shqiptare, pos BDI-së e cila heziton të prononcohet, janë të gatshme që të ulen përsëri në tryezën e përbashkët para mbajtjes së referendumit. Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa e Kasamit thotë se kjo tryezë është dashur të thirret para nënshkrimit të marrëveshjes në mes Maqedonisë dhe Greqisë, për t’i diskutuar pasojat e mundshme mbi identitetin shqiptar nga po e njëjta marrëveshje.

Marketing

Nuk kam informacion për ndonjë iniciativë rreth organizimit të ndonjë tryeze të partive politike shqiptare. Ajo që mund të them, gjithë partitë politike shqiptare e kanë përkrahur marrëveshjen me Greqinë. Ka pasur vetëm nuanca të ndryshme rreth çështjes së organizimit të referendumit por jo në esencë rreth vetë marrëveshjes me Greqinë, si një proces apo një hap i rëndësishëm i rrugës euro integruese. Por duhet pasur parasysh vërejtjet të cilat edhe ne si shqiptarë i kemi rreth marrëveshjes dhe pasojave të cilat do t’i kemi si komunitet në jetën politike të vendit ”- tha Fadil Zendeli, Deputet i Besës së Kasamit.

Të revoltuar me mungesën e koordinimit të partive politike shqiptarë janë edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Mirëpo, përsëri nga partia e Selës thonë se është më se e nevojshme që të mblidhen krerët e partive shqiptare para ndryshimeve kushtetuese që pritet të ndodhin pas referendumit. Nga Aleanca thonë se nëse nuk marrim një ftesë për tryezë të përbashkët, vetë do të iniciojnë një të tillë.

Ali Ahmeti në marrëveshje shqiptarët i quan maqedonas që është në kundërshtim me deklaratën e përbashkët te partive politike shqiptare. Tani në prag të referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese thirrja e tryezës është përsëri shumë e nevojshme në mënyre që pjesë e ndryshimeve kushtetuese të jetë edhe interesi kombëtar shqiptar, prandaj ASH-ja përsëri përkrah idenë e thirrjes së tryezës së përbashkët të partive politike dhe te njëjtën do ta thërras mbas mbajtjes së kuvendit qendror të ASH që është caktuar të mbahet me datë 26.08.2018, gjithashtu ASH-ja shpreh gatishmëri t’i përgjigjet secilës do ftese të partive politike në lidhje me Tryezën e liderëve politik, për referendumin”, thuhet në kumtesën e ASH-së.

Edhe nga Besa e Gashit nuk mohojnë nevojën e një takimi me përbërje të tillë, mirëpo vlerësojnë se më me rëndësi është rezultati pozitiv i referendumit, gjë për të cilën thonë se edhe e braktisën opozitën.

“Për Lëvizjen BESA suksesi i referendumit është interes i madh shtetëror por edhe interes kombëtar shqiptar, kështu që çdo koordinim për këto interesa është me rëndësi dhe, madje, i domosdoshëm. Natyrisht, ne jemi për takime substanciale dhe përmbajtjesore dhe jo për takime formale dhe vetëm për sytë e opinionit. Nëse do të ketë një nismë të tillë, do ta shqyrtojmë seriozisht dhe do të përgjigjemi. Ne mbetemi të përkushtuar seriozisht që referendumi të jetë i suksesshëm, sepse edhe pjesëmarrja jonë në qeveri është bërë pikërisht për shkak të këtij synimi madhor”, thonë nga Lëvizja Besa e Gashit.

Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare e nënshkruar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare parasheh arritjen e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, përkrahja e punës së paanshme për Prokurorinë Speciale Publike, arritjen e barazisë ekonomike dhe shume pika tjera të parealizuara deri më tani. Tryeza e përbashkët e partive politike shqiptare është e paraparë të funksionojë sipas parimit të rotacionit, por edhe pas disa vendimeve të rëndësishme shtetërore, ajo nuk është thirrur më nga asnjë parti pjesëmarrëse. /alsat-m/