Opozita sot i rikthehet protestave, policia blindon Tiranën

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, opozita bëhet gati që sot të organizojë një tjetër protestë kombëtare në orën 20:00 të mbrëmjes.

Marketing

Liderët e opozitës në Shqipëri Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë ftuar qytetarët në një protestë masive në Tiranë. Ata kanë thënë se nuk do të ndërmarrin asnjë hap prapa deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha betejën e opozitës dje e ka quajtur përballje me qeverinë kriminale.

“Nesër me 8 korrik në orën 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për Shqipëria si Europa! Asnjë hap pas! #RamaIk”, ka shkruar Basha në Facebook.

Edhe kryetarja e Lëvizjes për Integrim Monika Kryemadhi ka bërë thirrje nëpërmjet Facebook-ut që të bëhen të gjithë bashkë “për një Shqipëri evropiane”.

“Ky është momenti për një shtet me institucione të forta që garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin dhe të ardhmen e të rinjve, familjeve, bizneseve shqiptare. Nesër të gjithë bashkë për një Shqipëri Evropiane. Asnjë hap pas!”, ka shkruar Kryemadhi në Facebook. Kjo është protesta e dhjetë me radhë e opozitës. Ajo mbahet në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë do të diskutojë formimin e një komisioni për të shqyrtuar nëse presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën ku me anë të një dekreti shtyu zgjedhjet lokale, nga i cili vendim do të varet edhe shkarkimi i tij.

Policia masa të forta sigurie

Policia e shtetit ka nisur përgatitjet që dje për të siguruar mbarëvajtjen e protestës. Bëhet me dije se në protestën e sotme do të jenë rreth 1.200 forca policia që do të dalin në terren përballë protestuesve.

Policët do të vendosen para kryeministrisë si dhe godinës së parlamentit, aty ku pritet që protestuesit të vendosen.

Në përbërje të organizimit policor do të jenë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë (FNSH si dhe Garda e Republikës), shkruajnë mediet shqiptare.

FNSH do të qëndrojë larg protestuesve dhe është e gatshme për të ndërhyrë nëse situata përshkallëzohet.

Sot shënohet protesta e 10 kombëtare e opozitës, e cila vijon të kërkojë rrëzimin e Ramës dhe hapjen rrugë të një qeverie transitore.