Opozita do të zhvillojë sot protestën e tretë kombëtare në Tiranë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka postuar në Facebook një mesazh të posaçme dhe me thirrjen për bashkim.
Burimet kanë bërë të ditur se degët e PD dhe LSI në rrethe kanë organizuar mbështetësit, të cilët do të udhëtojnë prej qyteteve të tyre për tu bashkuar në kryeqytet në orën 18:30 kur dhe do të nisë tubimi para Kryeministrisë.
Policia mësohet se ka angazhuar mbi 1200 efektivë që do të jenë në gatishmëri si para godinës së qeverisë ashtu dhe pranë institucioneve të tjera shtetërore.
Në mbështetje të tyre do të jenë dhe mjetet ujëhedhëse, ashtu si dhe ka ndodhur në tubimet e shkuara.
Ashtu si dhe më parë, pak orë para protestës së ditës së shtunë nga ana e opozitës, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka zgjedhur të bëjë një mesazh në faqen e saj zyrtare në Facebook ku bën thirje për të mos pasur dhunë në këtë protestë dhe se dhuna qoftë edhe nga një person i vetëm do ta kompromentonte qëllimin.
Ndër të tjera Ambasada vlerëson se përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht.
Ambasada vlerëson se është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës.