Ora policore, Spasovski vizitoi Çairin

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski së bashku me zv/ministren teknike të MPB-së, Sllavjanka Petrovska gjatë mbrëmjes së sotme kanë vizituar pikën kontrolluese në Çair. I pyetur se pse nuk është i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, Spasovski tha se ai gjendet në një pikë tjetër të kontrollit në mënyrë që sa më shumë të inkurajohen pjesëtarët e policisë dhe të armatës.

Marketing

Për herë të parë në historinë e vendit tonë kemi kufizuar lëvizjen në të gjithë territorit. Tashmë e dini se asgjë nuk është njësoj, se gjithçka është e jashtëzakonshme, dhe qytetarët e dinë që të gjithë duhet të sillen jashtëzakonisht dhe me përgjegjësi. Duhet të respektojnë vendimet dhe urdhrat që marrin nga zyrtarët e autorizuar. Të respektohet kjo ndalesë e lëvizjes dhe mbledhja e njerëzve në grupe gjatë ditës. Përgjegjësia bie mbi të gjithë ne. Kjo nuk është vetëm një betejë e shëndetësisë, policisë apo ushtrisë, por e secilit prej nesh. Sa më mirë të sillemi, aq më shumë do të kemi rezultate pozitive dhe aq më shpejt do të kalojmë këtë situatë”, tha mes tjerash Spasovski.

Ndryshe, prej sonte në orën 21 në fuqi ka hyrë ora policore e cila do të zgjasë deri më orën 6 të mëngjesit. Qytetarët nuk guxojnë të dalin në këtë periudhë. Ora policore nuk vlen për MPB-në, Armatën, zjarrfikësit dhe personat që punojnë në higjienën komunale, dhe punëtorët e mediumeve. Kjo masë ka edhe përjashtime të caktuara për kategori të qytetarëve apo për persona që kanë nevojë për asistencë urgjente mjekësore si dhe pacientë që janë në dializë. Drejtorët e spitaleve duhet të bëjnë lista të punëtorëve që duhet të lëvizin derisa në fuqi është ora policore dhe për ta do të ketë distinktivë të veçantë.