Osmani: Afati real për ndryshimet kushtetuese është përfundimi i mandatit të këtij Kuvendi

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, është optimist se ndryshimet kushtetuese do të miratohen dhe se qëllimi fillestar i Qeverisë ka qenë deri në nëntor, por se afati real është dita e fundit e mandatit të këtij Kuvendi.

Marketing

“Jam optimist se do të ketë ndryshime kushtetuese. Sigurisht që synimi ynë fillestar ka qenë deri në nëntor, sepse atëherë ka një kalendar administrativ për qëllime skriningu, por afati real është dita e fundit e kësaj legjislature, përkatësisht mandati i këtij Parlamenti, pra deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe deri në ditën e fundit do të punojmë për të ofruar mbështetje për ndryshimet kushtetuese, duke qenë se nuk ka argumente kundër”, tha Osmani në një intervistë për televizionin Sitel.

Sipas Osmanit, nuk ka argumente kundër ndryshimeve kushtetuese dhe kjo është para së gjithash një kalkulim për zgjedhjet e ardhshme në partinë opozitare (VMRO-DPMNE).

I pyetur për vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili do të ketë një takim me përfaqësues të opozitës shqiptare, Osmani tha se nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë.

“Nuk kemi asnjë informacion zyrtar se do të vijë. Ne e shohim në rrjetet sociale se ka një komunikim partiak, kështu që realisht nuk kam informacione”, tha Osmani.

 

Marketing