Osmani: Agjenda e politikës së jashtme paraqet konfirmim për të ardhmen evropiane të rajonit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ka zhvilluar takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së të akredituar në vend.

Marketing

Ministri bëri një pasqyrim të zhvillimeve të fundit në planin e jashtëm, me theks në agjendën tonë evropiane dhe mbajtjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Ohër, si dhe vizitën e djeshme të shefes së diplomacisë gjermane, me çka BE-ja përcolli porosinë se Maqedoninë e Veriut e konsideron partner kredibil.

“Mbajtja e Këshillit të Stabilizim-Asociimit javën e kaluar për herë të parë në Shkup, si dhe mbajtja e takimit mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Ohër është njohje për rolin e ri të Maqedonisë së Veriut në kontekstin rajonal në drejtim të ruajtjes së sigurisë dhe prosperitetit rajonal, promovimit të kulturës së dialogut dhe perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani, duke theksuar se kjo agjendë intensive e politikës së jashtme paraqet konfirmim për të ardhmen europiane të rajonit.

Në takim u diskutua edhe për hapat e ardhshëm në lidhje me procesin e anëtarësimit tonë në BE, me theks të veçantë në realizimin e deritanishëm të suksesshëm të skriningut, nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese si detyrim të ndërmarrë, sfidat aktuale në kuadër të kryesimit të OSBE-së dhe mbajtjen e edicionit të tretë të Forumit të Prespës për Dialog.