Shefi i diplomacisë Bujar Osmani, përmes rrjeteve sociale ka dënuar sulmet ruse në Ukrainë, duke thënë se janë shkelje flagrante e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare.
Osmani, edhe një herë definoi qëndrimin dhe mbështetjen e RMV-së , krah Ukrainës, dhe popullit ukrainas. Mes tjerash Osmani, bën thirrje për ndalim të menjëhershëm të veprimeve ushtarake dhe tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina.
“Sulmet e sotme me raketa ndaj objektivave civile në Kiev, Lavov, Dnipro, Harkov, Krivi Rih dhe pjesë të tjera të Ukrainës janë shkelje flagrante e të Drejtës ndërkombëtare humanitare, si dhe një minim shtesë i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Republika e Maqedonisë së Veriut dënon ashpër veprimet e tilla të papranueshme, të kryera nga Rusia, të cilat rezultojnë me viktima të pafajshme njerëzore. Autorët e sulmeve duhet të sillen para drejtësisë dhe të përgjigjen për krimet e luftës.
Edhe një herë riafirmojmë solidaritetin tonë me popullin ukrainas, si dhe mbështetjen tonë të fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të të gjithë veprimeve luftarake dhe tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga vendi”, ka shkruar Osmani.