Osmani: Dialogu Kosovë-Serbi, në favor të politikanëve serbë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, në vend se të shërbejë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, ka shërbyer për “normalizimin e politikanëve serbë”, që “kanë qenë pjesë e regjimit të Sllobodan Millosheviqit”.

Marketing

“Me dikë si [Ivica] Daçiq [ministri i Jashtëm serb] – i cili në këto momente, përderisa kërcënon hapur dhe fsheh krimin, po bën krim të dyfishtë – Qeveria e Kosovës absolutisht nuk do të duhej të negocionte”, tha Osmani në një konferencë për gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Sipas saj, Daçiq ka kërcënuar hapur serbët që mund të tregojnë për vendndodhjen e viktimave nga Kosova.

Daçiq, së voni, ka bërë disa deklarata, që në Kosovë janë konsideruar kërcënuese për serbët që njoftojnë për lokacionet e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.

“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët, të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë ai për një televizion në Serbi.

Daçiq, në kohën kur ka qenë kryeministër i Serbisë (2012-2014), ka udhëhequr disa raunde bisedimesh me Kosovën.

 

Përgjegjësinë për mosmiratimin Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike “e ka koalicioni”

Duke folur para gazetarëve në Prishtinë, Osmani u ndal edhe te Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili ka dështuar pesë herë të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se përgjegjësinë për mosmiratimin e këtij projektligji duhet ta mbajë koalicioni qeverisës, pasi ai nuk po arrin t’i sigurojë votat e mjaftueshme.

“Zoti kryeministër nuk po arrin t’i ketë 61 deputetë që votojnë në favor të nismave që qeveria e tij i sponsorizon. Pra, përgjegjësia është aty dhe askund tjetër”, tha Osmani.

Për të enjten, shtoi ajo, është vendosur që të mbahet një seancë, ku pritet të bëhet votimi në parim edhe i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, dhe votimi i propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun me Serbinë.

Osmani po ashtu tha se të premten mund të ketë edhe një seancë, ku kryeministri Hoti do të raportonte për punën 100-ditore të tij.

Marketing