Osmani: Disa individë në Sofje duan provokime, jo marrëveshje

Maqedonia e Veriut i ka quajtur provokime deklaratat e zyrtarëve bullgarë se nuk duhet të lejohet “maqedonizimi i Bashkimit Evropian”.

Marketing

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pa apostrofuar presidentin bullgar, Rumen Radev, i cili e kishte dhënë një deklaratë të tillë, më 16 maj, në Berlin, tha të mërkurën se në Sofje ka të tillë që duan të provokojnë dhe fajin për dështimin e procesit të integrimit t’ia hedhin Maqedonisë së Veriut.

Sipas Osmanit, tani topi është në fushën bullgare dhe, sipas tij, Shkupi nuk do të bjerë pre e provokimeve dhe të fajësohet për dështimin e negociatave dhe bllokimin e procesit të integrimit evropian.

“Ka disa personalitete në Bullgari, këtu nuk mund të apostrofoj presidentin Radev, por ka të tillë të cilët jo vetëm që duan që bllokada të vazhdojë, por mundohen që tërë fajin të na e hedhin neve para botës. Pra, ka përpjekje për bllokada dhe për provokime, që ne të biem pre e provokimeve të tilla, të gabojmë në këto javët e fundit të këtij procesi dhe faji të jetë i përbashkët”.

“Kjo nuk qëndron pasi edhe në takimin e fundit në Bruksel, të gjitha 26 shtetet anëtare thanë se topi është te pala bullgare. Me rëndësi është që në javët në vijim të mos biem në provokime që, edhe të bllokohemi, edhe të fajësohemi”, deklaroi shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, pas takimit në Berlin me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kishte deklaruar se Sofja nuk do ta ndryshojë pozicionin sa i përket Maqedonisë së Veriut, apo të heqë veton për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ne nuk duhet të lejojmë maqedonizimin, të ideologjive të ish-Jugosllavisë dhe internacionales komuniste, që të gjejnë vend në Bashkimin Evropian pasi që do të kenë pasoja afatgjate për unionin. Bullgaria, si anëtare e përgjegjshme e Bashkimit Evropian, duhet të punojë që të integrojë partner dhe jo probleme për stabilitetin dhe perspektivën afatgjate të BE-së”, kishte deklaruar Radev.

Sofja së fundi këmbëngul në përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, në të kundërtën, edhe në qershor nuk do të heqë veton për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, tha se kjo do të jetë e pamundur të ndodhë deri në qershor, porse në tavolinë, sipas tij, ndodhet një propozim që duhet të jetë i pranueshëm edhe për Bullgarinë.

“Mendoj se edhe ata e dinë se procesi nuk mund të kushtëzohet me këtë çështje, apo që fillimi i bisedimeve të kushtëzohet me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Mendoj se në tavolinë është një propozim që paraqet një kompromis të mirë, që përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë të ndodhë para aktit final të anëtarësimit tonë në BE”.

“Mendoj se edhe në Bullgari janë të vetëdijshmen për këtë, por kjo më tepër ka të bëjnë me moskonsolidimin e qëndrimeve në Sofje. Pala bullgare duhet t’i konsolidojë qëndrimet. Topi është në fushën e tyre. Komunikime ka, por jo edhe një marrëveshje konkrete”, theksoi Osmani.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian. Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas për çka edhe janë formuar grupe të ekspertëve të historisë, të cilat që nga janari po punojnë për kapërcimin e dallimeve, por ende pa ndonjë epilog konkret./REL