Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani në konferencën e parë për shtyp pas përfundimit të ditës zgjedhore ka thënë se partia e tij e ka arritur qëllimin, pasi sipas tij, koncepti për kryeministër të parë ka marrë mbështetje nga qytetarët.
“Atë që e dimë ne jemi të bindur se e kemi arrit qëllimin zgjedhor, ta sjellim BDI-në në pozitë të zgjedh kryeministrin e parë shqiptar. Kjo është ditë historike për shqiptarët dhe gjithë qytetarët. E pranojmë këtë përgjegjësi dhe do të punojmë që të përmbushim premtimet tona. Ne do t’u shërbejmë qytetarëve dhe do të ndërtojmë vend më të mirë për gjithë ne, shqiptarët, maqedonasit dhe të tjerët. Prej nesër pas verifikimit presim të fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë dhe i ftojmë partitë shqiptare të bashkëngjiten në kauzën tonë tani kur kutitë e votimit janë mbyllur dhe të lëmë pas nesh interesat zgjedhore dhe të bashkohen për kryeministrin e parë shqiptar. Sot presim fitore të BDI-së, por tani është koha të bashkohen të gjithë për të mirën e fëmijëve tanë dhe shtetin, të ecim përpara me kryeministrin e parë shqiptar”, ka thënë Osmani.
Në pyetjen e gazetarëve për vlerësimet, Osmani ka deklaruar se do të jenë faktor kyç në proceset e mëtejmë.
“Presim të jemi faktor kryesor në determinimin e hapave konkret në shtet, thirrje publike deri te gjitha partitë shqiptare të bashkohemi ndaj konceptit për kryeministrin shqiptar që të bëjmë histori. Sipas fushatës dhe mbështetjes që e kemi fituar, pres fitore të madhe dhe të konceptit. Rezultatet vijnë por jam këtu që të falënderoj edhe institucionet dhe qytetarët”, ka thënë Osmani.
Sipas tij kanë pritur dalje më të vogël për shkak të pandemisë dhe frikës së qytetarëve.
“Por qytetarët treguan vullnet dhe ata ta bëjnë në mënyrën më të mirë me respektimin e gjitha masave dhe procesit. Dalja është e njëjtë nëpër zona me ato paraprake përveç uljes së butë në 2016 kur kishte dalje rekorde prej 67 për qind”, ka thënë Osmani.