Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka ftuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për një vizitë në Kosovë.
Osmani ka përsëritur ftesën gjatë takimit me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay.
“Me zv. ministrin Kemal Bozay, Presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, organizimin e një forumi të bizneseve të dy shteteve, sikurse edhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Presidentja Osmani ka përsëritur ftesën për homologun e saj, presidentin Recep Tayyip Erdoğan për një vizitë në Republikën e Kosovës, në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani ka falënderuar Turqinë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit. Osmani ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës dhe Turqisë janë strategjike.
“Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se shqiptarët që jetojnë në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë janë urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e Kosovës në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke kërkuar mbështetje të mëtejmë edhe për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në takim është diskutuar edhe për tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe hapat që ka marrë Kosova për shtensionim të situatës.
“Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani diskutoi edhe për hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit në përputhje me dakordimin në Bratislavë. Presidentja Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve”, thuhet nga Presidenca