Sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, u mbajt seanca e 40-të e Komitetit të Punës për Integrime Evropiane (KPIE), të cilën e udhëhoqi Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani ku u hapën temat lidhur me integrimet evropiane: skriningu shpjegues, statusi i implementimit të Planit 18, statusi i absorbimit të IPA-s dhe shpërndarja e ndihmës së huaj etj. Në takim u bë përmbledhja e treguesve kryesorë përmes të cilave ndiqet progresi i integrimit evropian të vendit tonë.
Në fillim të takimit Osmani shqyrtoi rezultatet e vitit 2018 duke e vlerësuar atë si historike nga aspekti i integrimeve evropiane, ku edhe potencoi se këtë vit, integrimet evropiane mbeten në fokusin e Qeverisë, për që cilën muajt e ardhshëm janë të nevojshme rezultate konkrete për zbatimin e reformave në veçanti në sferat prioritare: gjyqësori, reforma në shërbimet e sigurisë, reforma në administratën publike dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Një nga treguesit kryesor për integrimin tonë evropian gjithsesi është – implementimi i Planit18. Në këtë drejtim do ti shqyrtojmë aktivitetet e realizuara deri më tani, do ti shqyrtojmë sfidat eventuale në implementimin e tij dhe më e rëndësishmja, do të pasqyrojmë vlerësimet reale për finalizimin e tij në periudhën deri në daljen e Raportit të rij të Komisionit Evropian, si një ndër kriteret më të rëndësishëm për verifikimin e progresit tonë në integrime evropiane”- theksoi Osmani, i cili shprehu kënaqësi nga suksesi i deritanishëm në këtë plan, në të gjitha sferat.
Në vazhdim të takimit u shqyrtua edhe statusi i realizimit të detyrimeve nga takimet e trupave në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me BE-në, si funksion bazë të këtij trupi, si dhe statuset e realizimit të detyrimeve nga misionet vlerësuese.
Në kuadër të takimit të sotëm të KPIE-së anëtarët e së njëjtës u njoftuan me rrjedhat e deritanishme të ashtuquajturës skriningut vëzhgues, si dhe orarit të Kapitujve për këtë vit, duke e pasur parasysh se ky është proces që mundëson administrim, që është pjesë e strukturës negociuese respektivisht ekipit negociues, dhe vepruesve tjerë për të njëjtin të përgatiten për fillim eventual të negociatave.
Komiteti Punues për Integrime Evropiane (KPIE) paraqet trup më të lartë administrativ të Qeverisë ku anëtarë janë sekretarët shtetërorë të ministrive, kryesuesit e Nën-komiteteve, udhëheqësit e grupeve punuese, Sekretari Shtetëror i Qeverisë, si dhe pjesë e administratës së Sekretariatit për Çështje Evropiane.