Osmani: Inkurajime nga Brukseli për anëtarësimin në NATO

Maqedonia ka marrë rekomandimet e reja nga takimi me përfaqësues të NATO-s në Bruksel. Sipas zv.kryeministrit Bujar Osmani, vërejtjet e reja janë në kuadër të detyrimeve të deritanishme që ka pasur vendi. Target në mesin e institucioneve që duhet të zbatojnë rekomandimet mbeten Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë.

Marketing

Programi për vazhdimin e reformave i cili është prezantuar në Bruksel, është pranuar nga ata, është vlerësuar. Vlerësimet joformale janë shumë pozitive për shkak se Maqedonia gjatë kohë është në këtë proces dhe është e përgatitur dhe janë marrë, normalisht, disa vërejtje dhe çfarë duhet përmirësuar në ndërkohë.

Delegacioni prej atje është kthyer dhe institucionet po punojnë për momentin në vërejtje dhe vërejtjet janë të ngjashme me atë që e kemi ne në procesin e rrugëtimit drejt BE-së, jo vetëm fokusimi në sjelljen e ligjeve por atë që gjithmonë theksoj, fokusimi në zbatimin e tyre- sqaroi Bujar Osmani.

Institucionet përkatëse kanë marrë dhe janë duke shqyrtuar detyrimet e tyre. Gjatë muajit të ardhshëm, në Bruksel do të prezantohet masa e realizimit të rekomandimeve.

Besoj diku në nëntor do të duhet ne të japim vlerësimet tona pasi të kalojë ky informacion. Do ta kalojmë informacionin si tërësi në Qeveri dhe pastaj ne Komiteti politik do t’i japim rekomandime Komitetit të punës që pastaj ta prezantojmë në Bruksel- shtoi Bujar Osmani.

Koordinatori nacional për anëtarësim në NATO, Stevo Pendarovski, i cili ka udhëhequr Komitetin e punës në Bruksel për Alsat thotë se në takimin e fundit nuk ka pasur asnjë vërejtje strikte dhe kryesisht janë marrë vlerësime pozitive.

Pendarovski thotë se Maqedonia është vendi më i përgatitur për anëtarësim në NATO. Sipas tij, nëse bisedimet dhe përgatitjet zhvillohen sipas planifikimeve, Komiteti i punës përfundon punën e tij të negociatave deri në fillim të janarit të vitit të ardhshëm kurse Komiteti politik, deri nga mesi i po të njëjtit muaji.

Pas përmbylljes së kësaj procedure, Maqedonia do të mund të marrë pjesë në të gjitha takimet dhe komisionet e NATO-s por pa të drejtë vote. Pendarovski është optimist se anëtarësimi i plotë i vendit do të bëhet në tremujorin e parë të vitit 2020.

Veçmas nga puna e Komitetit, në dokumentin e dërguar personalisht nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg javë më parë ndër kushtet politike që vendi duhet t’i përbush u theksuan: Sundimi i ligjit dhe reformat në gjyqësor, përfshirë përforcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe përgjegjësi për korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë dhe në nivel të lartë; përpjekje për ndërtimin e shoqërisë funksionale multi-etnike bazuar tërësisht në zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit; zbatimi i plotë i të gjitha procedurave të brendshme lidhur me Marrëveshjen e emrit; llogaridhënie më e madhe dhe mbikëqyrje e përshtatshme mbi shërbimet e zbulimit dhe sigurisë.

Përveç çështjeve politike, në dokument theksohen edhe një sërë kushtesh në fushën e mbrojtjes dhe ushtrisë si përgatitja legjislative dhe funksionale e sektorit të mbrojtjes, të sigurisë dhe shërbimeve sekrete në pajtim me dispozitat funksionale të NATO-s.

Marketing