Osmani: Integrimi në BE, interes i përbashkët për një Evropë më të sigurt

Zëvendëskryetari i Qeverisë, për Çështje Evropiane, Bujar Osmani pati takim me Olivie Kadik, senator në Senatin francez dhe përfaqësues i shtetasve francez të cilët jetojnë jashtë Francës.

Marketing

Në takim, siç theksohet në kumtesë, u hapën temat lidhur me aktivitetet e Qeverisë në drejtim të përgatitjes për fillimin e negociatave aderuese, në veçanti në përgatitjen e ekipit dhe strukturës për negociata, si dhe për sfidat lidhur me implementimin e Marrëveshjes së Prespës dhe referendumit që pason.

Osmani fillimisht shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme të Francës, ku edhe potencoi se vizita e sotme e Senatorit Kadik paraqet konfirmim për interesin dhe përkushtimin e Francës në mbështetje të aspirata euro- atlantike të vendit tonë.

“Franca është njëra prej faktorëve kyç në kuadër të bashkimit Evropian dhe roli i saj në procesin e zgjerimit ka rrëndësi fundamentale për suksesin e procesit”, – theksoi Osmani në takim. Në këtë drejtim Osmani potencoi se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian bashkërisht përpiqen drejt një Evropë më të qëndrueshme dhe më të sigurt në përgjithësi, ku jo vetëm Maqedonia por edhe vendet e rajonit i mbështesin përpjekjet e Francës për një BE më kohezive, më funksionale dhe me të qëndrueshme.

Në vazhdim të bisedës Zëvendëskryeministri Osmani iu referua edhe referendumit të ardhshëm ku ai shtoi se pret sukses në referendum, se qytetarët tani më kanë kuptuar seriozitetin e këtij vendimi, si dhe gjithashtu pret një sjellje më të pjekur nga të gjithë përfaqësuesit politik të vendit, të cilët nuk do e humbasin këtë mundësi të papërsëritshme për të ndihmuar vendin e tyre dhe qytetarët e tyre në përmbushjen e aspiratës së tyre për anëtarësim në BE dhe NATO.