Osmani: Jemi të përqendruar vetëm te Salcburgu

Trajneri i Shkëndisë, Qatip Osmani në vigjilje të ndeshjes kthyese të xhiros së tretë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve kundër Red Bull Salcburg, tha se lojtarët e tij do të tentojnë të revanshohen për humbjen e thellë (0:3) në lojën e parë në Austri.

Marketing

“E analizuam mirë lojën në ndeshjen e parë. Golat të cilat i pranuam janë për shkak të gabimeve tona. Edhe ne krijuam shanse. Do të përpiqemi të fitojmë. Do të luajmë maksimalisht deri në fund pa kalkulime. Jemi të përqendruar vetëm në ndeshjen e dytë, ndërsa për më tutje do të mendojmë varësisht nga rezultati”, tha Osmani.
Ai paralajmëroi ndryshime të vogla në përbërje në krahasim me ndeshjen e parë.

“Do të ketë ndryshime të vogla në krahasim me ndeshjen e parë”, shtoi Osmani në pres-konferencën e sotme.
Optimist se Shkëndija mund të arrij rezultat më të mirë është edhe Visar Musliu.

“Na mungon përvojë e vogël evropiane. Kemi kundërshtar të fuqishëm, i cili rregullisht është në euro-kupat. Por, edhe ata kanë dy këmbë njëjtë si edhe ne”, tha Musliu.
Ndeshja është caktuar për nesër në mbrëmje në arenën “Telekom” në Shkup me fillim në orën 20:15 minuta.

Marketing