Osmani: Kemi arritur edhe një sukses të madh – në Shkup është tejkaluar “qorr sokaku”, RCC me Sekretar të ri rë Përgjithshëm

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mbajti konferencë tematike për media, kushtuar kryesimit tonë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), në të cilën informoi për një tjetër sukses të madh të arritur në nivel ndërkombëtar.

Marketing

“Po e përmbyllim kryesimin tonë njëvjeçar me Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, iniciativën më të vjetër rajonale e cila nën ombrellën e kryesimit tonë, sot përmes Komitetit të Drejtorëve Politikë, arriti konsensus dhe e emëroi kandidatin e Sarajevës, Amer Kapetanoviq për Sekretar të ri të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, si trup ekzekutiv i Procesit. Me krenari mund të them se ky veprim ruan stabilitetin, vazhdimësinë dhe funksionalitetin e Këshillit, si dhe të të gjithë Procesit. Edhe një sukses tjetër për Republikën e Maqedonisë së Veriut pas Kryesimit me OSBE-në në vitin 2023. Vendi ynë edhe një herë e ka konfirmuar pozitën e tij në skenën ndërkombëtare”, theksoi Osmani.

Njëherit, Osmani njoftoi se nesër do të mbahen aktivitetet finale në kuadër të Kryesimit tonë me PBEJL-në, përkatësisht takimi në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme, si dhe Samiti i Shefave të pjesëmarrësve në Proces. Ai theksoi se, duke pasur parasysh kontekstin gjeopolitik në të cilin ndodhet rajoni dhe historinë e tij të paqëndrueshmërisë dhe tensioneve që mund të keqpërdoren lehtësisht nga aktorët e jashtëm, tema e takimit të këtij viti është ‘Forcimi i infrastrukturës rajonale të sigurisë e kërcënuar nga sfidat aktuale. Mënyra se si të ecim përpara?’

Gjithashtu, bëri të ditur se për momentin po punohet intensivisht në harmonizimin e tekstit të Deklaratës së Përbashkët Përfundimtare, me të cilën do të konfirmohen përkushtimet e përbashkëta për arritjen e kompromiseve dhe zgjidhjeve të pranueshme, të cilat, të gjithëve do të na çojnë drejt pajtimit, dialogut, tejkalimit të çështjeve të së kaluarës, zhvillimit ekonomik dhe anëtarësimit të përshpejtuar në BE.