Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani mbajti takim me Ambasadorin e SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, Xhes Bejli me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
“SHBA-të nuk janë vetëm partnerë strategjik të Republikës së Maqedonisë, por edhe miq të rëndësishëm me prezencën dhe pjesëmarrjen aktive të të cilëve u realizuan sukseset më të rëndësishme të vendit që nga pavarësia e saj” – theksoi Osmani në takim, duke i shprehur mirënjohje personale Ambasadorit Bejli, për angazhimin e tij personal, përkushtimin dhe mbështetjen e vendit.
“Me aktivitetet e juaja latë gjurmë të pashlyeshme, jo vetëm në suksesin tonë për ta realizuar përcaktimin tonë strategjik – anëtarësimi në NATO, por edhe gjurmë të pashlyeshme në implementimin e vlerave perëndimore të Ballkanit, në bazat e së cilës është i ndërtuar edhe suksesi i sotëm në progresin e rajonit në përgjithësi” – theksoi Osmani.
Gjatë takimit Osmani referoi edhe për vizitën e tij në SHBA, ku mbajti takim me përfaqësues të lartë të Kongresit Amerikan, mes të cilave edhe me kryesuesin e Komitetit për Politikë të Jashtme, Eliot Engel, si dhe me përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë, mes të cilëve edhe me ndihmësin e zëvendës Sekretarit Shtetëror, Metju Pallmer.