Ministrat e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut sot në Sofje u angazhuan për kthimin e agjendës pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, pas tensioneve që shkaktoi hapja e klubeve të bashkësive në të dyja vendet. Të mos lejojmë që të tjerët ta udhëheqin politikën e jashtme dhe marrëdhëniet dypalëshe, ka deklaruar Ministri Osmani, duke shtuar se në qoftë se ndalen provokimet për veçantitë e gjuhës dhe identitetit maqedonas, Maqedonasit do të ndjejnë ngrohtësinë e Bullgarisë dhe do të hapet rruga për bashkëpunim.
Në përpjekje për qetësimin e tensioneve që shkaktoi hapja e klubeve kulturore të Bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, me emra provokativë dhe klubit të Maqedonasve në Bullgari, shoqatën e të cilit autoritetet e atjeshme e ndaluan menjëherë, Ministrat e Punëve të Jashtme, Nikollaj Millkov dhe Bujar Osmani, në konferencën e përbashkët për shtyp në Sofje u angazhuan për kthimin e agjendës së bashkëpunimit institucional.
“Jemi të interesuar të kthejmë rend dite pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe, diçka që në muajt e fundit, në të dyja anët e kufirit, e ndjejmë se është humbur. Është paradoksale që të kemi vision për zhvillimin e rajonit dhe të marrëdhënieve tona, të kemi mekanizëm për zgjidhjen e tyre, Marrëveshjen e vitit 2017 dhe protokollet, ndërsa në të njëjtën kohë të duket se në sipërfaqe është një atmosferë e cila nuk është pozitive për marrëdhëniet tona. Këtë dëshirojmë ta ndryshojmë” – tha Nikollaj Millkov, ministër i Punëve të Jashtme, Bullgari.
Ministri Osmani shprehu optimizëm se me Millkovin do të arrijnë të parandalojnë që “të tjerët ta udhëheqin politikën e jashtme, madje edhe t’i thurrin marrëdhëniet dypalëshe” në mes Sofjes dhe Shkupit, duke sugjeruar ndërhyrje nga palët e treta në marrëdhëniet dypalëshe. Në emër të fqinjësisë së mirë, ai theksoi se në agjendë kthehen sërish angazhimet për bashkëpunim institucional sektorial dhe lidhje më e mirë infrastrukturore. Ndërsa për Bullgarinë pati edhe një kërkesë konkrete – të ndërpriten mohimet e veçantisë maqedonase.
“Në qoftë se arrijmë që këtë ta heqim nga diskursi me Republikën e Bullgarisë, ndërsa nuk mund ta mohoni se nuk vinë mesazhe të tilla, nga aktorë të ndryshëm në Bullgari edhe raport me pretendimet territoriale për të cilat ne reagojmë, edhe në raport të mohimit të veçantisë dhe identitetit. Në qoftë se arrijmë ta heqim këtë, qytetarët në Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maqedonasit të ndjejnë miqësi dhe ngrohtësi nga ana e Republikës së Bullgarisë në raport me këto çështje, besoni se do të hapet gjithë hapësira e mundshme për bashkëpunim.” – tha Bujar Osmani.
Si reazultat i reagimeve nga Bullgaria për Ligjin për shoqata i miratuar në Kuvendin në Shkup ddhe i cili urdhëron të ndryshohen emrat e klubeve që sugjerojnë fashizëm, Ministri Osmani propozon të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias – organ këshillëdhënës i Këshillit të Evropës në lidhje me të drejtën kushtetuese.