Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, realizoi takim me kryesuesen aktuale të OSBE-së dhe Ministre e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Suedisë An Linde.
Në takim, tema kryesore të diskutimit ishin aktivitetet në kuadër të OSBE-së, kryesimi aktual i Suedisë me organizatën dhe kryesimi i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.
“Ndajmë të njëjtat përpjekje dhe vlera dhe në këtë kontekst, të kryesuarit e vendeve tona me OSBE-në, pjesëmarrja e përbashkët në treshen kryesuese, paraqesin bazë të shkëlqyeshme për fillimin e përgatitjeve tona për marrjen e timonit në vitin 2023 me këtë organizatë të rëndësishme si dhe mundësi për zgjerimin dhe intensifikimin e komunikimit të ndërsjellë, si impuls shtesë dhe avancim të marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve”, theksoi Osmani.
Osmani informoi për arritjet e deritanishme në zbatimit e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të drejtave të njeriut, lirisë së medieve dhe barazisë gjinore.
Ministrat biseduan edhe për dosjen evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për aspekte të tjera që do të mundësojnë avancimin e integrimit tonë drejt BE-së.
“Maqedonia e Veriut e kreu pjesën e saj të detyrimeve, fakt ky që u konstatua disa herë nga të gjitha institucionet e BE-së, por edhe nga shumë krerë të shteteve dhe Qeverive si dhe nga Ministra të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të vendeve anëtare të BE-së. Konsideroj se porositë që BE do t’i dërgojë, do të jenë në drejtim të konfirmimit të asaj çfarë është arritur dhe do të japin impuls për vendin dhe për të gjithë rajonin për të vazhduar me implementimin e reformave që nënkuptojnë afrimin me rregullat dhe standardet evropiane, si dhe do të na inkurajojë të vazhdojmë edhe me dialogun politik për tejkalimin e çështjeve më të vështira”, potencoi Osmani.
Ministrja An Linde e përshëndeti përkushtimin e Qeverisë në zbatimin e reformave, duke përshëndetur njëherazi edhe aktivitetet përgatitore të kryesimit tonë në vitin 2023, ndërsa theksoi se në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut dëshmon seriozitet dhe përkushtim të lartë, që me siguri do të garantojë kryesim të suksesshëm.
Osmani e shfrytëzoi vizitën në Shkup të Ministres së Jashtme të Mbretërisë së Suedisë An Linde për t’i dhënë mirënjohje post mortum me rastin e 30 vjetorit të pavarësisë për Anna Lindh, ish Ministre e Punëve të Jashtme e Suedisë dhe kryesuese me Këshillin e BE-së në vitin 2001.