Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së punës në Çeki, sot në Pragë realizoi takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavski.
Në takim u shpreh kënaqësi e ndërsjellë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve gjatë tri dekadave të fundit, me theks të veçantë në mbështetjen e pahamendshme dhe të zëshme çeke për procesin e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, Ministri Lipavski tha se shpreson për miratimin sa më të shpejtë të ndryshimeve kushtetuese, si mundësi e vetme për të vazhduar rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor sa më parë të jetë pjesë e familjes së BE-së.
“E përshëndesim thirrjen e Çekisë drejtuar institucioneve të BE-së për të prezantuar agjendë të qartë për integrim gradual dhe të përshpejtuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, në drejtim të sigurimit të përfitimeve të prekshme për qytetarët tanë”, theksoi Osmani.
U shkëmbyen mendime edhe për çështjet aktuale ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe për bashkëpunimin dhe sfidat në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, qëllimi i të cilit është ruajtja e sigurisë së kontinentit europian.