Osmani: Maqedonia e Veriut nuk ndahet nga kursi i procesit eurointegrues,punojmë sikur të marrim vendim në pranverë

Maqedonia e Veriut nuk ndahet nga kursi i procesit eurointegrues dhe po përgatitet për çdo përgjigje të samitit të prillit kur do të diskutohet sërish çështja eurointegruese e vendit, tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, në konferencë vjetore “Bashkë drejt yjeve”.

Marketing

“Punojmë sikur do të ketë vendim tani në pranverë, megjithatë i përgatisim pritjet sikur edhe të mos kemi vendim. Me rëndësi sekretariatin duhet ta organizojmë të jetë i gatshëm të vazhdojë deri në pranverë me angazhimet e reformave, megjithatë edhe me përgatitjen e ekipeve për fillimin e negociatave në rast se do të ketë vendim.”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.Ish ambasadori, Ervan Fuere, e sheh të vështirë mundësinë për arritje të kompromisit brenda në BE, por inkurajon vendin të vazhdojë me zgjidhjen e problemeve të brendshme, sidomos në rastet gjyqësore që kanë të bëjnë me korrupsionin e funksionarëve.

“Do të ishte me të vërtetë sfidë të punohet në arritjen e konsensusit për fillimin e bisedimeve në mars, për shkak të mënyrës se si funksionojnë bisedimet në BE dhe ndoshta atje nuk do të ketë mundësi, por sidoqoftë duhet të punohet që më së voni në qershor të miratohet vendim për fillimin e bisedimeve. Në ndërkohë, qeveria duhet të vazhdojë me implementimin e reformave dhe këtu do të theksoja reformat në gjyqësor dhe ballafaqimi me rastet korruptive që janë si rezultat i keqpërdorimit funksional.”,- u shpreh ish ambasadori në RMV, Ervan Fuere.

SÇE do të përgatisë plan të ri reformues të aktiviteteve që do të duhet të sigurojnë vazhdimësi në aktivitetet reformuese para samiteve të ardhshme të BE-së në mars dhe në maj vitin e ardhshëm, u tha në këtë konferencë që u mbajt në qytetin e Strugës.