Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, realizoi takim pune me Koordinatorin e Përhershëm të KB në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Rosana Duxhiak, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme.
“Ne kishim një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara gjatë mandatit tim në Sekretariatin për Çështjet Evropiane dhe si koordinator kombëtar i ndihmës së huaj, veçanërisht të shprehur gjatë valës së parë të krizës së shkaktuar nga KOVID19. “Më lejoni tua përcjell mirënjohjen e gjithë Qeverisë për mbështetjen e përgjithshme, dhe gjithsesi mirënjohjen time personale për angazhimin tuaj dhe të administratës tuaj në ndihmën ndaj vendit gjatë ballafaqimit me pandeminë”, tha Osmani, duke theksuar se ai pret vazhdim të bashkëpunim edhe më tej në mandatin e tij si ministër i Punëve të Jashtme.
Osmani, siç kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme, e riafirmoi angazhimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në zbatimin e qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm të KB, përmes zhvillimit të demokracisë, të drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vend, si plotësisht të harmonizuara me qëllimet e integrimit evropian, që është një prioritet i rëndësishëm strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Republika e Maqedonisë së Veriut po ndryshon në mënyrë aktive, dhe është e dukshme që po ndryshon në të mirë. “OKB dhe agjencitë e saj, si deri më tani edhe në të ardhmen, mund të kontribuojnë shumë në mbështetjen dhe udhëheqjen me sukses të këtyre proceseve,” theksoi Osmani.
Njëherit, Osmani u falënderua edhe për mbështetjen e deritanishme në zbatimin e Kornizës për Bashkëpunim për Zhvillim të KB, dhe shprehu pritshmërinë që korniza e re për bashkëpunim zhvillimor për periudhën 2021-2025, përgatitja e së cilës është në fazën e saj përfundimtare, të kontribuojë në mënyrë plotësuese në realizimin e prioriteteve strategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Koordinatorja e përhershme Duxhiak, duke u falënderuar për bashkëpunimin e përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe për kontributin e saj në promovimin e paqes dhe prosperitetit global, shprehu gatishmërinë e Organizatës dhe agjencive të saj për të kontribuar në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, me theks të veçantë në parimin “askush të mos mbetet pas” si parim udhëzues në zbatimin e programeve mbështetëse të Republikës së Maqedonisë së Veriut.