Emërimi i ish-kryeministrit Vllado Buçkovski si përfaqësuesit special për problemin me Bullgarinë ka të bëjë me synimet serioze për të forcuar dialogun e miqësisë, kthimin e besimit në marrëveshjen për Fqinjësi të mirë dhe posaçërisht forcimin e efikasitetit dhe implementimin e tij sqaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
“Intenca jonë është të përkushtohemi ndaj implementimit të marrëveshjes edhe përmes emërimit të një përfaqësuesi special i cili si detyrë të mandatit të tij do të ketë pikërisht realizimin e çështjeve me interes për dy vendet të përfshira në marrëveshjen e miqësisë dhe unë do të thosha edhe në kthimin e besimit në këtë mekanizëm i cili është mjeti më i rëndësishëm në tejkalimin e çështjeve të hapura midis RMV-së dhe Bullgarisë.”,- deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Buçkovski: Jam i bindur se do të gjendet zgjidhje me dinjitet
Buçkovski thotë se vendosja e tij në këtë detyrë paraqet sfidë teksa shpreh bindje se vendi do të ketë sukses në përpjekjet e tij për fillimin e bisedimeve me BE-në.
“Shpresoj se me përvojën time me besimin që kam edhe në opinionin bullgar do të jem një sinjal i qartë për përkushtimin e qeverisë tonë në përmbushjen e detyrimeve të marra nga marrëveshja për fqinjësi të mirë. Me kënaqësi kam pranuar këtë sfidë pasi që jam i bindur se mund të arrijmë zgjidhje që do të zhbllokojë procesin dhe do të jetë në frymën e vlerave evropiane me respektimin e plotë të dinjitetit tonë.”,- u shpreh ish-kryeministri, Vllado Buçkovski.
Qeveria: Buçkovski do t’i kontribuojë dialogut
Emërimi i Vllado Buçkovskit si përfaqësues special për problemin me Bullgarinë, duhet të kontribuoje në krijimin e atmosferës pozitive për tejkalimin e problemit me Bullgarinë, konsiderojnë në qeveri.
“Vllado Buçkovski është njohës i shkëlqyer i marrëdhënieve maqedono-bullgare, është i respektuar nga aktorët politik dhe shoqëror në Bullgari. Ka kontakte të mira me Bullgarinë dhe pranohet shumë mirë në publikun e atjeshëm. Ka percepcione pozitive për politikat e tij si ish kryeministër dhe është pranuar si dikush që edhe më herët ka kontribuar në përmirësimin me Bullgarinë fqinje.”,- u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski.
Nga qeveria thonë se Marrëveshja për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë është një dokument serioz dhe nuk ka nevojë për një marrëveshje të re dhe një aneks.