OSMANI: Me impuls reformues deri në fillimin e negociatave

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov, sot në Bruksel marrin pjesë në Mbledhjen e Katërmbëdhjetë të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim mes Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian.

Marketing

Në takim u shqyrtuan temat për marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim përgatitjet dhe sfidat që dalin nga afati kohor për fillimin e negociatave, të cilën, kohë më parë e miratoi Këshilli i Bashkimit Evropian, si dhe tema tjera lidhur me integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë.

“Sot, duke u udhëzuar nga sukseset që i arritëm vitin e kaluar, flasim për fillimin e skrining procesit, për krijimin e ekipeve negociuese, strukturës negociuese dhe në përgjithësi për përgatitjen edhe të Komisionit Evropian si dhe të Republikës së Maqedonisë, për fillimin e negociatave vitin e ardhshëm” – theksoi Osmani në fjalën e tij para Këshillit, duke iu referuar kontekstit në të cilën zhvillohet mbledhja e këtij viti e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim një dit pas marrjes së ftesës zyrtare për fillimin e procesit aderues për anëtarësim në NATO, dhe dy javë nga vendimi i Këshillit të Evropës për afatin kohor nga 12 muaj, apo në qershor të vitit 2019, për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në të njëjtin kontekst Zëvendëskryeministri Osmani shprehu mirënjohjen e tij deri tek Përfaqësuesja e Lartë Federika Mogerini dhe Komisioneri Evropian Johanes Han, si dhe ekipeve të tyre të cilët bënë përpjekje dhe mbështetën me sinqeritet realizimin e ambicieve tona.

Në vazhdim Osmani, potencoi se krahas përgatitjes për negociata, Qeveria synon ta mbajë dhe thellojë impulsin reformues pozitiv, si dhe të jep rezultate të dukshme në pjesën e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Qëllimi i këtyre reformave, si dhe të vetë negociatave, krahas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, janë edhe përfitimet e transformimit thelbësor të vendit në shoqërinë demokratike evropiane me një ekonomi më funksionale të tregut, institucione efikase dhe administratë më profesionale”- shtoi Osmani, duke potencuar se negociatat aderuese janë proces kompleks, proces i gjerë dhe masiv, ku do të nevojitet edhe angazhim i shoqërisë në përgjithësi, publikut akademik, sektorit civil, si dhe ftoi opozitën të marrin pjesë në këtë proces.

Marketing