Osmani me plan për një Maqedoni të Veriut më të gjelbër dhe më të sigurt

Kandidati për President i Frontit Europian, Bujar Osmani u zotua se po të zgjedhet i pari i vendit, do të punojë për shndërrimin e Maqedonisë së Veriut në një shtet të gjelbër, që do të kujdeset për ambientin jetësor. Në press konferencën e sotme në Parkun e Qytetit të Shkup, Osmani shpalosi zgjidhjen: do të formojë një bord validimi, respektivisht vetingu dhe nuk do të nënshkruajë asnjë ligj i cili do të jetë në kundërshtim me standardet e mbrojtjes së natyrës.

Marketing

“Si kandidat për President, jam i përkushtuar për një agjendë të gjelbër, e cila vendos në plan të parë shëndetin e planetit tonë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Për realizimin e kësaj agjende, unë propozoj ngritjen e një Bordi për validim, një trupi të dedikuar që do t’u bëjë skrining të gjitha projekteve dhe ligjeve për ndikimin e tyre ndaj mjedisit jetësor. Ky bord, do të shërbejë si mbrojtës i trashëgimisë sonë natyrore, duke siguruar që çdo vendim që marrim si shtet, të jetë në përputhje me parimet e qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së mjedisit. Kjo, do të jetë dëshmi për përkushtimin tonë ndaj brezave të ardhshëm, duke u siguruar që ata të trashëgojnë një vend, jo vetëm të begatë, por edhe të gjelbër dhe të sigurt” theksoi Osmani.

Sipas tij, çështja e ambientit jetësor është çështje e sigurisë.

“Përderisa përballemi me sfidat e shekullit 21, është e nevojshme që ta njohim lidhjen e pazgjidhshme, midis mjedisit jetësor – dhe atë të sigurisë së vendit. Siguria nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë dhe armatën, por, ka të bëjë edhe me krijimin e një shoqërie e cila është rezistuese, e vetë-qëndrueshme dhe në harmoni me natyrën. Duke i integruar konsideratat e mjedisit jetësor në kornizën tonë të sigurisë, po marrim një qasje të tërësishme për ta mbrojtur të ardhmen e vendit tone” tha kandidati për President.

Osmani shtoi se vendi ynë është i bekuar me bukuri natyrore, që nga ujërat e qeta të liqenit të Ohrit, e deri te majat madhështore të Malit Sharr dhe se e kemi për obligim të kujdesemi për të njëjtat në rrugëtimin drejt një Maqedonie të Veriut më të gjelbër dhe më të sigurt.

Marketing