Ministri i jashtëm Bujar Osmani ka pritje të mëdha nga presidenca portugeze e BE-së, ai pret që Gjermania të vazhdojë angazhimin edhe gjatë kohës kur me BE-në do të kryesojë Portugalia. Kontaktet e para me Portugalinë tha ai, flasin për qëllime serioze që të vazhdohet aty ku e ka lënë Gjermania, sa më shpejtë të gjendet zgjidhje për dallimet dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, gjegjësisht të miratohet korrniza negociuese për Maqedoninë e Veriut.
“Kuptohet se pritjet janë poashtu të mëdha edhe nga presidenca portugeze. Pres që Gjermania të vazhdojë me angazhimin edhe gjatë kohës kur me BE-në do të udhëheq Portugalia. Edhe nga kontaktet e para me Portugalinë, shihet se ajo ka qëllim serioz të vazhdohet aty ku e ka lënë Gjermania dhe sa më shpejtë të gjendet zgjidhje për dallimet që sa më shpejtë të mbahet konferenca ndërqeveritare, gjegjësisht të miratohet korniza negociuese. Këto ditë dërgojmë diplomatin tonë në Portugali- tha Osmani.
Osmani theksoi se sot, në ditën e parë të punës për këtë vit, zhvillohet takim koordinativ I aktorëve politik në vend, me qëllim përcaktimin e udhëzimeve dhe dinamikës së komunikimit për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes së problemit me Bullgarinë. Thekson se nuk dëshiron të humbet asnjë ditë dhe të kapen të gjitha afatet për samitet vijuese për fillimin e bisedimeve të vendit me BE-në.
“ Sot në ditën e parë të punës për këtë vit, kemi koordinim me qëllim që të përcaktohen udhëzimet se si do të shkohet më tej në komunikimin me Republikën e Bullgarisë lidhur me tejkalimin e dallimeve, kështuqë fillojmë intenzivisht, që në ditën e parë, nëse mund ta vlerësoni edhe këtë si një pjesë të iniciativë, megjithatë them se është jashtë korrnizave lidhur me ato raporte që lidhen tejkalimin e problemit- tha Osmani.
Në fillim të vitit Osmani pret dy takime me Ministren e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva. Sipas tij njëri ka të bëjë me nevojën për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare, ndërsa takimi tjetër do të varet nga përgjigja që Bullgaria dhe Shqipëria do të kthejnë, lidhur me iniciativën e Osmanit për bashkëpunim trilateral mes tre shteteve. Akoma nuk ka përgjigje ndaj non-paperit që para vitit të ri, u dërgua nga Shkupi në Sofje.