Shefi i diplomacisë Bujar Osmani e ka cilësuar si skandalaoze moscaktimin e seancës së Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend për emërimin e ambasadorëve të rinj. Osmani njoftoi se i ka dërguar urgjencë formale kryetarit të këtij komisioni, Antonio Milloshovski që në afatin më të shkurtër të mundshëm kohor ta caktojë seancën për mbrojtjen e tezave të Ambasadorëve të ardhshëm të vendit.
Moscaktimi i seancës së Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut paraqet keqpërdorim flagrant dhe të turpshëm të Rregullores së Komisionit dhe në përgjithësi të pjesëmarrjes së Kuvendit, si organ i veçantë, në politikën e jashtme.
Prezantimi i kandidatëve për Ambasadorë para Kuvendit ka një rol të veçantë politik dhe shoqëror në të gjithë procesin e dërgimit të Ambasadorëve jashtë vendit. Është hapi i fundit i një procesi të gjatë në të cilin jo vetëm të zgjedhurit e qytetarëve, por edhe vetë qytetarët kanë mundësinë t’i shohin dhe t’i dëgjojnë drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre të ardhshëm jashtë vendit, jo vetëm se si i elaborojnë tezat, por edhe se si u përgjigjen pyetjeve të parashtruara.
Shtyrja e këtij procesi, veçanërisht në mënyrë arbitrare, të panevojshme dhe pa arsyetim të denjë, paraqet një hendikep të thellë për politikën e jashtme dhe për realizimin e synimeve strategjike të vendit. Por njëherit, kjo shkakton sfida shtesë për vetë kandidatët: probleme për familjet e tyre- lidhur me zhvendosjen në kohë dhe akomodimin në vendin pranues si dhe arsimimin e fëmijëve, nga pamundësia për t’i regjistruar me kohë në shkollë; probleme në organizimin e punës së vetë përfaqësive diplomatike, të cilat po i presin Ambasadorët e rinj të marrin pozicionet e tyre.
Prandaj, sot, edhe një herë i dërgova urgjencë formale Kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshoski, që menjëherë të ndalojë së bojkotuari politikën e jashtme dhe realizimin e interesave strategjike të vendit, dhe në afatin më të shkurtër të mundshëm kohor ta caktojë seancën për mbrojtjen e tezave të Ambasadorëve të ardhshëm të vendit, ka shkruar Osmani.