Osmani në darkën tradicionale transatlantike me ftesë të Blinken

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, mori pjesë në darkën tradicionale transatlantike, e cila u mbajt në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në ngjarje morën pjesë edhe ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

Marketing

Në fokus të bisedimeve ishin sfidat aktuale me të cilat përballet komuniteti transatlantik, veçanërisht në kontekst të pasojave të agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, i cili ka minuar rendin juridik ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ka shkaktuar rritje të paqëndrueshmërisë në fqinjësinë e Aleancës. Njëherit, u diskutua edhe prioritetet për veprim në marrëdhëniet transatlantike dhe vendimet e rëndësishme të marra në Samitin e Vilniusit për të ardhmen e Aleancës së NATO-s.

Në fjalën e tij, Osmani e rikonfirmoi mbështetjen tonë të plotë për Ukrainën dhe theksoi se ofrimi i ndihmës praktike, sa të jetë e nevojshme, mbetet prioriteti ynë. Gjithashtu, ai theksoi se mbështetja jonë e pakushtëzuar për popullin ukrainas u theksua edhe një herë me miratimin e Deklaratës së Përbashkët të Mbështetjes për Ukrainën nga shtetet anëtare të A5, në takimin e djeshëm të mbajtur në kuadër të presidencës sonë me SHBA-Karta e Adriatikut.

Osmani iu referua edhe situatës aktuale në rajonin tonë dhe nevojës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike si një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe evropian.