Osmani në Dubrovnik realizoi takim me Maria Gabriel

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e sivjetshëm të Dubrovnikut, pati takim me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Maria Gabriel. Ky është takimi i parë i dy ministrave pas emërimit të Qeverisë së re politike të Bullgarisë.

Marketing

Duke e uruar atë për funksionin e ri, Osmani shprehu kënaqësinë që me formimin e Qeverisë së re në Bullgari krijohen perspektiva shtesë për dialog më intensiv politik, dhe në këtë mënyrë shtohen mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve, të cilët këtë vit shënojnë 30-vjetorin e marrëdhënie diplomatike.

Në takim, ministrat shkëmbyen mendime për punën e grupeve punuese sektoriale, rezultatet e të cilave janë konkrete dhe të dukshme për qytetarët e të dy vendeve, duke rikonfirmuar rëndësinë e tyre për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e përgjithshëm. Theks i veçantë në bisedimet u vu në perspektivën europiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kontekstin e momentumit të ri integrues të krijuar në kuadër të Unionit.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, si dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, parë nga prizmi i rrethanave të ndryshuara gjeopolitike.